Haxhiu udhëton për në Hagë, do të takohet me disa prej ish-krerëve të UÇK-së

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot do të udhëtojë për në Hagë.

Siç është bërë e ditur nga MD, qëllimi i vizitës është takimi me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët prej më shumë se një viti mbahen në paraburgim në Dhomat e Specializuara.

Flamur Pireva, këshilltari i ministres Haxhiu, të hënën ka thënë për Telegrafin se delegacioni nga Kosova do të takohet me ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, ish-shefin e GP të LVV-së, Rexhep Selimi dhe me ish-krerët e OVL  e UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, e po ashtu edhe me ish-luftëtarin Pjetër Shala.

Ndërkaq, Thaçi dhe Veseli, nuk e kanë konfirmuar takimin me Haxhiun.

E Haxhiu ditë më parë në emisionin “Përballje”, ka thënë se ajo ka kërkuar takim me të gjithë ata që po mbahen në Hagë.

Ministrja theksoi se ajo me Thaçin e Veselin kanë probleme politike të pasluftës, megjithatë ajo vlerësoi kontributin e tyre në luftë.