Haxhiu paralajmëron se do të komunikojnë me deputetët e tjerë “për të parë nëse kanë vullnet për të qenë pjesë e qeverisjes”

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka theksuar se VV do të vazhdojë komunikimet me deputetët e tjerë dhe subjektet politike për të parë nëse kanë vullnet për të qenë pjesë e qeverisjes. Ajo nënvizoi rëndësinë e fillimit sa më të shpejtë të procedurave për mandatarin e kryeministrit Albin Kurti dhe formimin e Qeverisë Kurti 3, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu shprehu habinë e saj lidhur me deklarimet e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, për dyshimet mbi procedurat e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit, Nenad Rashiq, raporton Ekonomia Online.

“Konsideroj se për VV-në, konstituimi i Kuvendit është lajm i mirë. Në këtë drejtim, më lejoni të falënderoj deputetët që kanë kontribuar. Është i habitshëm qëndrimi i PDK-së, ata nuk patën votë kundër Listës Serbe. Sot, të gjithë bashkë, është dashur të jemi në një vijë dhe të mos lejojmë qëndrime jo të qarta me Listën Serbe, duke pasur parasysh që ajo dirigjohet nga Beogradi. Është e rëndësishme që Kuvendi është konstituar sepse nuk kemi një nënkryetar përfaqësues që nuk e pranon Republikën e Kosovës”, tha ajo.

“Ju e dini që seanca e parë është thirrur nga presidentja Osmani. Tani jemi më 10 tetor dhe, nëse e sqarojmë situatën, më shumë se katër muaj na ka marrë Gjykata Kushtetuese. Për faktin që kemi ardhur në seancë dhe kemi votuar, përballemi me qëndrime kundër qoftë emrave të përvetshëm, qoftë kundër konstituimit të Kuvendit. Sot, PDK e dëshmoi këtë. Sot sërish, me qëllimet e tyre, tentuan të mos konstituohet Kuvendi”, tha Haxhiu.

Ajo theksoi se Vetëvendosja është e përkushtuar që të vazhdojë dialogun edhe me deputetë nga grupet e tjera parlamentare dhe subjekte politike të interesuara për të marrë pjesë në qeverisje.

“Jemi të interesuar që sa më parë të fillojmë me procedurat dhe do të vazhdojmë komunikimet edhe me deputetët e tjerë. Mund të ketë deputetë nga grupet tjera parlamentare, mund të ketë edhe subjekte politike. Kemi pasur përpjekje për të bërë koalicion. Nuk po e pranojnë rezultatin zgjedhor; ishte dashur që kjo të bëhej me kohë. Në vazhdimësi, ata kanë ndryshuar qëndrimet”, tha ajo.

Haxhiu nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të procesit qeverisës, duke mos përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nëse situata e kërkon. “Ne konsiderojmë që duhet të vazhdojmë me qeverinë, por natyrisht nuk i përjashtojmë edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme. Këto qëndrime ishte dashur të shprehen më kohë dhe jo të ndërrohen vazhdimisht”, deklaroi ajo nga holli i Kuvendit.