Hasani pret ambasadorin Abbott: Thellim i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, u takua sot me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nicholas Abbott.
Në një postim në rrjetet sociale, Ministri Hasani theksoi se gjatë takimit u diskutuan lidhjet e forta politike dhe partneritetin e qëndrueshëm midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
“Vlerësuam lidhjet e forta politike dhe partneritetin midis vendeve tona”, shkruan Hasani.
Gjatë takimit, Hasani i uroi ambasadorit Abbott suksese në pozicionin e tij të ri dhe theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh në disa fusha kyçe, si mbrojtja, siguria kibernetike, energjia dhe infrastruktura. Ministri gjithashtu nënvizoi rëndësinë e nxitjes së më shumë investimeve britanike në Shqipëri, duke forcuar kështu lidhjet ekonomike mes dy vendeve.