Harmonizimi i rrogave me rritje lineare nuk është zgjidhje, porositi Bytyqi

Shkup, 27 shtator – Harmonizimi me rritjen e caktuar lineare nuk është zgjidhje. Ne dëshirojmë të definojmë metodologji për rritje të rrogave në sektorin publik e cila do të jetë e bazuar në produktivitet dhe efikasitet, siç e kërkojmë këtë në sektorin privat, e gjithsesi edhe me ligjin e ri për rroga në sektorin publik, deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Famtir Bytyqi.

Në pyetjen e gazetarëve nëse, në pajtim me Ligjin për rrogë minimale, do të harmonizohen rrogat me rritjen e minimales në afatin ligjor prej gjashtë muajve që po skadon, Bytyqi u përgjigj se procesi i harmonizimit ishte ndërprerë me vendimin e LSM-së për të mbajtur grevë.

“Ne filluam proces të harmonizimit dhe proces të diskutimit për Marrëveshjen e re të përgjithshme kolektive me Lidhjen e sindikatave. Për fat të keq, ajo u ndërpre sepse LSM hyri në grevë. Këto ditë do t’u bëjmë thirrje të kthehen në mënyrë që deri në fund të vitit të nënshkruajmë Marrëveshje të përgjithshme kolektive sepse besojmë në zgjidhje të qëndrueshme, e jo zgjidhje ad hok”, deklaroi Bytyqi.

Zëvendëskryeministri theksoi se edhe ligji për rroga dhe metodologjia për rritje të rrogave tashmë është në procedurë nëpër ministri, ndërsa plotësisht, në përgatitjet për buxhetin tashmë fillojnë, tha, “t’i shohim mundësitë reale drejt të cilave mund të shkojmë me metodologjinë e re për rroga”.

“Duhet të ulemi me Lidhjen e sindikatave të flasim për zgjidhje të qëndrueshme dhe mekanizma të qëndrueshëm”, shtoi Bytyqi në deklaratë për mediumet pas konferencës në të cilën u promovua rporti i OECD-së “Kapitali njerëzor, migrimi dhe si ta formojmë të ardhmen së bashku”.