Haradinaj pas takimit me Begajn: Kemi folur rreth idesë për mbrojtje të përbashkët

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj sot pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begajn ka thënë se kanë biseduar rreth idesë për mbrojtje të përbashkët.

Këto deklarata Haradinaj i ka bërë pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj me të cilin ka folur edhe për energjinë dhe politikën e jashtme.

Kreu i AAK-së ka thënë se me Begajn kanë diskutuar edhe rreth idesë për paktin për mbrojtje të përbashkët për çka ka thënë se ka qenë iniciativë e tij kohë më parë.

“Jemi të interesuar që marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri t’i thellojmë. Me kolegët e aleancës kemi veçuar disa tema që i mendojmë të rëndësishme, jo vetëm që është simbolike por e kemi filluar me çështjen e shtetësisë shqiptare për gjithë shqiptarët e globit si diçka që do të ishte vërtetë e drejtë, njëkohësisht kemi folur për çështjen e sigurisë, ka qenë iniciativë e imja, ka vite, një pakt për mbrojtje të përbashkët, pra duhet të zhvillohet një proces gradual për shkak se Shqipëria është në NATO dhe ne kemi kujdesin e NATO-s këtu”, ka thënë Haradinaj, raporton KP.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur edhe për krizën energjetike.

Sipas tij, është koha që Albin Kurti të tërhiqet nga posti i kryeministrit të vendit.

Ai ka kritikuar Kurtin për reduktimet e energjisë elektrike çka sipas tij është rezultat i paaftësisë së qeverisë.

“Dje ju kam drejtuar Kurtit me një kërkesë që ta shqyrtojë tërheqjen, këtë ia thotë dikush që e ka pasur rastin me u tërheq dy herë, mendoj që është koha edhe ai me vlerësu seriozisht tërheqjen nga përgjegjësia e vet…Çështja e reduktimeve shihet që është menaxhim i keq i kësaj qeverie, të kesh reduktime në gusht është diçka detyrimisht faji dihet ku është, është kjo qeveri, paaftësia e kësaj qeverie që na shqetëson pastaj kur të hymë në dimër”, ka thënë Haradinaj.

Ish kryeministri i Kosovës ka folur edhe për takimet që Kurti do t’i zhvillojë më 17 dhe 18 gushtit në Bruksel, me sekretarin e NATO-s dhe atë me presidentin e Serbisë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“NATO e prirë nga Amerika ka dëshmuar që nuk lejon destabilizim të Ballkanit në shumë raste dhe çdo herë. Ajo që për mua është e dhimbshme është një retorikë artificiale e Kurtit dhe Vuçiqit për t’ia rritë çmimin gjëja një arritje të madhe, pakti për mos sulmim. Me gjithë këto shqetësime që ia bëjnë qytetarëve të Kosovës sot se ka luftë, do të ketë luftë, krejt është halli me mbulu zotëri Kurti marren e një marrëveshje që nuk ka nevojë sepse është që nga ’99-a, për paktin për mos sulmim, sikurse edhe shumë diverzione të tjera në debat publik me i mbulu humbjet dhe dështimet e kësaj qeverie”, ka thënë Haradinaj.

Përveç Haradinajt, presidenti i Shqipërisë ka takuar edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës ndërsa me Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk është zhvilluar takimi.

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj po qëndron në Kosovë nga dita e hënë dhe kjo është vizita e tij e parë zyrtare jashtë vendit që prej marrjes së postit të kryetarit të shtetit dy javë më parë.