Grubi realizoi takim me ambasadorin francez, Bomgartner

Shkup, 31 maj – Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi sot e ka pritur ambasadorin e Republikës së Francës, Siril Bomgartner. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, procesi i ndryshimeve kushtetuese, skriningu, reformat që po bëhen për integrimin evropian si dhe investimet franceze në energji të ripërtërishme me përkrahje të plotë qeveritare kanë qenë temë boshte e bisedës.

“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet prioritet i Qeverisë dhe ftojmë në bashkërendim tē veprimeve të gjithë qytetarët, mediat, shoqërinë civile për denoncim të keqpërdorimeve, por edhe të propagandës dhe lajmeve të rreme. Vetingu si proces spastrimi do të kontribuonte në kredibilitetin e figurave që nga gjyqësori e deri tek politika”, thuhet në kumtesën e kabinetit të Grubit.

Grubi dhe Bomgartner kanë biseduar edhe për skriningun që është duke vijuar me BE-në si dhe iniciativa për ndryshimet kushtetuese, si domosdoshmëri për të vazhduar më tej në hapin tjetër drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sa i përket integrimit evropian, siç njoftojnë prej atje, ambasadori ka riafirmuar mbështetjen e Republikës së Francës për vendin tonë, duke shtuar se korniza e negocimit ka reflektuar edhe në metodologjinë e re të BE-së bashkë me mobilizimin e të gjitha kapaciteteve institucionale vendore.

Grubi dhe ambasadori Bomgartner gjithashtu biseduan edhe për investimet franceze në energji të ripërtërishme me përkrahje të plotë qeveritare, në kuadër të marrëveshjes së arritur në BE që deri në vitin 2030 të dyfishohet përqindja e burimeve të energjisë në konsum të përgjithshëm si era dhe dielli në 42.5 për qind nga 22 për qind sa është aktualisht.