Grabitën rreth 500 mijë euro, Gjykata e Tiranës cakton masën e sigurisë për nënë e bir

Kokëulur, të përlotur dhe pa thënë asnjë fjalë, Rozeta dhe Havier Dodi janë njohur sot me masën e sigurisë ‘arrest me burg’ nga Gjykata e Tiranës.

Nënë e bir, u zbuluan fillimisht për vjedhjen e 120 mijë eurove e më pas nga vetë ata në përgjimet në dhomën e paraburgimit në Tiranë për shifrën e 400 mijë eurove dhe sendeve me vlerë të fshehura në tubin e aspiratorit. Por për këto 400 mijë euro, ende nuk ka një autor, vetë Klosi ka deklaruar se shifra që ajo posedonte ishte 120 mijë euro.

Të dy janë përgjuar teksa flasin me njëri-tjetrin edhe për vlera të tjera parash që i kishin akoma në banesë dhe që nuk janë gjetur nga policia. Diskutimi i nënë e bir ka qenë me kode, duke u shprehur se paratë janë lart në shtëpi, të cilat do i përdorte Rezeta për të nxjerr Havierin nga burgu, pasi plani i të dyve ishte që fillimisht 23-vjeçari të merrte përsipër fajin. Pas përgjimit policia menjëherë zbarkoi në banesë dhe gjeti  404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat ishin të paketuara, të fshehura në tubin e aspirimit.

Akoma nuk është përcaktuar nëse paratë janë të gjitha të Alda Klosit apo të kësaj të fundit janë vetëm 120 mijë eurot e para. Duke qenë se paratë e gjetura janë të paketuara, pritet të ekzaminohen në laborator edhe për shenja gishtash, për të kuptuar nëse mbi to do të gjenden gjurmë të Alda Klosit apo të personave të tjerë që mund të jenë pronarë të tyre.

Dyshimet e policisë janë se paratë mund të jenë të vjedhura edhe në banesa të tjera.