Gonxhja pret ambasadoren e Austrisë: Rritje të shkëmbimit ekonomik e kulturor mes dy vendeve
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, priti në një takim pune ambasadoren e Austrisë në Shqipëri, Monika Zach dhe zv. ambasadorin Martin Schaller.
Gjatë takimit Gonxhja dhe Zach diskutuan mbi thellimin e marrëdhënieve dypalëshe mes vendeve tona.
“Pata kënaqësinë të mirëpres në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit shkëlqesinë e saj, Monika Zach, ambasadoren e Austrisë në Shqipëri, që sapo ka marrë këtë funksion të ri të rëndësishëm, së bashku me zv. ambasadorin Martin Schaller, ku diskutuam për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona”, u shpreh Gonxhja.
Ministri tha se në fokus të takimit ishte thellimi i ndërveprimit ekonomik dhe rritja e shkëmbimeve kulturore mes dy vendeve.
“Vlerësuam bashkëpunimin tonë kulturor, që tashmë është bërë urë e fortë miqësie dhe zhvillimi. Shqipëria vijon rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, dhe bashkëpunimi me partnerët tanë strategjikë si Austria është kyç për të arritur këtë qëllim”, nënvizoi Gonxhja.
Ministri prezantoi vizionin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, duke u ndalur tek politikat e reja të administrimit të aseteve publike, prokurimet e përqendruara dhe reformat rregullatore mbi investimet dhe projektet e zhvillimit, sigurimeve shoqërore, tregut e ekonomisë, si edhe strategjitë e inovacionit dhe përpjekjet për arsimin profesional.