Gonxhja: 4039 bursa për të mbështetur nxënësit e regjistruar në arsimin profesional

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja i bëri të ditur sot se 4039 bursa janë shpërndarë në mbështetje të nxënësve të regjistruar në arsim profesional me një fond total prej 281 milionë lekësh.

Gonxhja tha se “bursat jepen për nxënësit në bazë të kritereve ekonomike (të ardhurat) dhe jo-ekonomike (degët prioritare, mesatarja shkollore, etj)”.

“Përmes kësaj mbështetje synojmë integrimin në arsim profesional të çdo nxënësi dhe mbështesim degët prioritare të ekonomisë për forcë punëtore të kualifikuar me paga të larta”, theksoi Gonxhja.

Mbi 4 500 të rinj kanë zgjedhur të nisin studimet në arsimin profesional këtë vit shkollor.  Në total janë 15 mijë të rinj që vijojnë studimet në shkollat profesionale.

Procesi i të mësuarit në shkollat e arsimit profesional është dinamik dhe praktik, duke i përgatitur studentët për sukses në botën reale. Kurrikula fokusohet në aftësitë praktike dhe njohuritë përkatëse për industrinë, duke i lejuar studentët të zbatojnë atë që mësojnë në një mjedis mbështetës dhe ndërveprues.