Gledis Nano, letër institucioneve për sigurinë në plazhe

‘Policia e shtetit nuk mund të mund të veprojë e vetme dhe as nuk mund të jetë e vetmja përgjegjëse, nëse hallkat ndërinstitucionale nuk bashkëpunojnë dhe zbatojnë ligjin.’
Është kjo një pjesë nga letra që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano i ka dërguar Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, bashkive, prefektuarave dhe ministrive përgjegjëse me qëllim garantimin e një sezoni turistik të sigurt.
“Për të garantuar dhe siguruar jetën e qytetarëve dhe të pushuesve, përgjatë sezonit turistik dhe jo vetëm, kërkojmë bashkëpunimin dhe angazhimin e të gjitha hallkave institucionale për të monitoruar, kontrolluar zbatimin e ligjit dhe të akteve nënligjore në fushën e turizmit.”
Për të arritur rezultatet e duhura, Nano kërkon që policia e shtetit të informohet periodikisht për masat e marra, gjë që sipas tij nuk është bërë në asnjë rast.
“Policia e Shtetit duhet të informohet periodikisht mbi masat e marra nga institucionet përgjegjëse (detyrim i cili nuk rezulton të jetë zbatuar nga institucionet drejtpërdrejt përgjegjëse, për asnjë rast), të cilat lejojnë licensimin për zhvillimin e aktiviteteve dhe turizmit detar, pajisjen me leje drejtimi të pajisjeve motorike lundruese, përcaktimin e zonave të ndaluara për lundrim dhe ankorim të mjeteve lundruese, si dhe çdo aktivitet tjetër që lidhet me hapësirën detare. Duhet të informohen të gjitha organet ligjzbatuese për çdo shkelje apo moszbatim të ligjit nga çdo subjekt publik apo privat.”
Kjo letër që mban datën 5 Gusht vjen pas aksidentit tragjik të së martës në Potam.