Gjykata Themelore Penale Shkup më transparente për vitin 2021

Shkup, 29 mars – Gjykata Themelore Penale Shkup në vitin 2021, sipas raporteve të punës, është më e hapura dhe transparente në raport me gjykatat tjera në vend. Gjykatësja Mirjana Lazarova Trajkovska në seancën e sotme të përgjithshme të Gjykatës Supreme konstatoi se jo vetëm që bëhet fjalë për një gjykatë të azhurnuar, por është edhe një gjykatë që ka marrë parasysh mënyrën e menaxhimit të resurseve njerëzore.

Sipas statistikave të përgatitura nga kjo gjykatë për vitin 2021, përkundër pandemisë së KOVID-19 dhe zvogëlimit të numrit të gjykatësve të cilët kanë munguar për shkak të pushimit mjekësor, gjykata ka arritur të përfundojë 104.747 nga 117.811 lëndë dhe 13.064 lëndë kanë mbetur të pazgjidhura. Gjykata Themelore Penale Shkup ka përfunduar 6.786 lëndë më shumë në krahasim me vitin e kaluar 2020.

“Në këtë gjykatë gjithsej 18.7 për qind e numrit të përgjithshëm të lëndëve që kanë qenë në gjykata në vitin 2021 kanë qenë në pritje dhe gjykata ka përfunduar 19.6 për qind nga numri i përgjithshëm i lëndëve të zgjidhura në nivel shtetëror. Kjo e bën gjykatën të azhurnuar, por veçori e kësaj gjykate është fakti se është ndoshta gjykata më e hapur dhe më transparente në aspektin mediatik, por edhe për publikun, sepse gjykata përmes faqes së saj të internetit rregullisht dhe sipas nevojës publikon deklarata për opinionin, jep përgjigje për mediat, komunikon me organizatat joqeveritare, me organizatat ndërkombëtare”, theksoi gjykatësja Lazarova Trajkovska.

Gjatë vitit 2021, kjo gjykatë ka lëshuar 106 komunikata për opinionin, 145 përgjigje për OJQ-të dhe mediat për pyetje gazetareske, 41 përgjigje në pyetje të qytetarëve përmes zëdhënësit të gjykatës, 42 përgjigje në kërkesë për qasje në informacion, dy brifingje janë organizuar për gazetarë, si dhe janë organizuar tri vizita fakultative në gjykatë dhe janë lidhur memorandume bashkëpunimi.

Me lëndë të vjetra është marrë edhe Gjykata Themelore Penale në Shkup, gjegjësisht nga gjithsej 2.449 lëndë të vjetra në këtë gjykatë, 976 lëndë kanë mbetur të pazgjidhura.

Siç shtoi gjykatësja Lazarova Trajkovska, problemi në sferën e resurseve njerëzore ekziston në pjesën e nevojës për plotësimin e nëpunësve drejtues gjyqësor dhe plotësimin e kuadrit të nevojshëm, veçanërisht në pjesën e këshilltarëve profesional dhe avokatëve në pjesën e gjykatës.

“Gjithsesi, mbetet përshtypja se me zgjedhjen e gjykatësve të rinj, me plotësimin e gjykatave me kuadro përkatëse pas vendeve të lira, me edukim të vazhdueshëm, si dhe me përmirësimin e gjendjes materiale dhe financiare, mund të arrihen rezultate edhe më të mira”, theksoi Kryetarja e Gjykatës Supreme Besa Ademi.

Në seancën e sotme të Gjykatës Supreme, Gjykata Administrative dhe Gjykata e Apelit në Shkup u vunë në dukje si gjykata të paazhurnuara për vitin raportues 2021, për të cilat u propozuan masa për përmirësimin e gjendjes me lëndët e vjetra dhe për punë më efikase, plotësimin e nevojshëm të numrit të bartësve të funksioneve gjyqësore, si dhe ekipimi i gjykatës me personel të paplotësuar nga shërbimi gjyqësor.