Gjykata e Tiranës dënon me 17 vjet burg Francesco Becchetin

Gjykata e Tiranës ka dënuar këtë të mërkurë me 17 vjet burg ancesco Becchetti-n. Biznesmeni italian u dënua për falsifikim dokumentesh, për pastrim parash, për krijim të skemave mashtruese, për vjedhje duke shpërdoruar detyrën. Becchetti ndodhet aktualisht në arrati dhe për të ka një mandat arresti ndërkombëtar.

Bashkëpunëtori i tij Mauro De Renzi, i akuzuar për të njëjta akuza, u dënua me 16 vjet burg, ndërsa dy të pandehur janë dënuar me shërbim prove. Gjykata dënoi edhe nënën e Becchetti-t Liljana Condomiti, me 8 vite heqje lirie.

Si për Becchetti-n ashtu sikur edhe për bashkëpunëtorin e tij, prokuroria kishte kërkuar nga 20 vjet heqje lirie.

Hetimet ndaj biznesmenit italian nisën në vitin 2015 kur edhe u kërkua sekuestrimi i televizionit Agon Channel ndërsa ndaj Becchetti-t nisën hetimet për evazion fiskal dhe pastrim të parave. Nën sekuestro preventive u vendosën kompanitë Agon set, Energji shpk, etj në pronësi të Becchetti-t. Prokuroria kërkon që aksionet, llogaritë bankare dhe pasuritë e luajtshme e të paluajtshme t’i kalojnë shtetit.

Vetë Becchetti i ka kundërshtuar më herët akuzat duke e dërguar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit ku ka fituar në 2 shkallë.

Lajmin e dënimin të Becchetti-t e përcolli edhe Kryeministri Edi Rama teksa po dëshmonte në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, kur u pyet nga Tabaku për drejtësinë e re….

Jorida Tabaku: Ju po i drejtoheni disa herë kompanive të cilat kanë marrë në zbatim të 3 kontrata koncesionare, që në fakt po i dejtoheni disa herë si zbatues shumë të mirë projekti. Projektet sapo thatë janë shumë të mira, janë krenari… Këta sot janë në kërkim, duke folur kaq shumë për drejtësinë si ka mundësi që të gjithë janë zhdukur këta, si ka mundësi që kjo drejtësia nuk po funksionon në këtë rast me zbatuesit e këtyre projekteve.

Edi Rama: Më falni se më erdhi një lajm, që është si Breaking News, që Becchetti është dënuar me 17 burg, ma sollën tani.

Jorida Tabaku: Faleminderit që e ndatë me këtë komision.

Edi Rama: Po shpresoj që të mos jetë Fake News si këto tuajat…

Jorida Tabaku: Besoj ka një komision tjetër hetimor për çështjen Becchetti që ne e kemi kërkuar.