Gjobitet me mbi 124 mijë euro produksioni i filmit ku Alec Baldwin qëlloi për vdekje kinematografen Halyna Hutchins

Produksioni i filmit “Rust”, “LLC”, u gjobit me mbi 136 mijë dollarë (124 mijë euro) nga “Occupational Safety and Health Administration” në New Mexico të mërkurën, disa muaj pasi kinematografja Halyna Hutchins u qëllua për vdekje nga Alec Baldwin.

Në një raport të ri, zyrtarët e sigurisë thanë se kompania tregoi “indiferencë të qartë ndaj rreziqeve të njohura që lidhen me përdorimin e armëve të zjarrit në set, që rezultuan në një fatalitet, lëndim të rëndë dhe kushte të pasigurta pune”.

“Hetimi ynë zbuloi se ky incident tragjik nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse Produksioni i filmit Rust LLC do të kishte ndjekur standardet kombëtare të industrisë së filmit për sigurinë e armëve të zjarrit”, tha Sekretari i Kabinetit të Mjedisit, James Kenney në një deklaratë.

Halyna Hutchins (Foto: Getty Images)

“Ky është një dështim i plotë i punëdhënësit për të ndjekur protokollet e njohura kombëtare që i mbajnë punonjësit të sigurt”.

Gjoba prej 124 mijë eurosh është maksimumi i lejuar sipas ligjit të New Mexico.

Hutchins vdiq në xhirimet e filmit “Rust”, ndërkohë që regjisori Joel Souza mbet i plagosur.

Alec Baldwin (Foto: Getty Images)

Askush deri më tani nuk është akuzuar penalisht për të shtënat.

Familja e Hutchins tha se ishin “të kënaqur” që raporti “ka hedhur pak dritë mbi çështjet e sigurisë në vendin e punës”.

“Hetimi ynë ka gjetur prova dërrmuese të pakujdesisë dhe neglizhencës nga ana e ekipit të Rust dhe të tjerëve”, tha familja në një deklaratë.

Vendi ku ndodhën të shtënat fatale në “Rust” (Foto: Deadline)

Halyna ka lënë pas bashkëshortin dhe një djalë të quajtur, Andros Hutchins.