Gjobiten katër investitorë të ndërtimeve të larta në Malishevë

Katër investitorë të ndërtimeve të lartë janë gjobitur sot në qytetin e Malishevës pasi nuk e kanë respektuar plotësisht ligjin e ndërtimit.

Lajmi është bërë i ditur nga Komuna e Malishevës, përmes një komunikate për media.

“Gjatë inspektimit të ndërtimeve të larta në qytetin e Malishevës, inspektorati komunal, sot i ka dënuar katër investitorë të këtyre ndërtimeve, për mosrespektim të plotë të ligjit ndërtimit, përkatësisht të nenit 35, pikat 2.1 dhe 2.2, për poseduesit e lejeve të ndërtimit”, thuhet në njoftim.

Inspektorati komunal në Malishevë, i prirë nga drejtoresha e kësaj drejtorie, Besartë Kryeziu-Ramaj, e ka zhvilluar sot një aksion për inspektimin e këtyre ndërtimeve në qytet, ndërsa sipas drejtoreshës, inspektimi do të jetë i vazhdueshëm, edhe për ndërtimet tjera.

“Inspektimi do të jetë i vazhdueshëm për të gjitha ndërtimet që bëhen dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejohet mos respektimi i ligjit të ndërtimit”, ka thënë Kryeziu-Ramaj.