Gir: Perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut u nënvizua edhe nga gjendja në Ukrainë

Shkup, 28 mars – Ambasadori i BE-së në vend, Dejvid Gir duke ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas takimit me kryetarin e Komunës së Tetovës Bilall Kasami ka theksuar se gjendja ushtarake në Ukrainë edhe më shumë e nënvizon rëndësinë e perspektivës së BE-së të Maqedonisë së Veriut sesa ndikimit negativ të fillimit të negociatave për anëtarësim.

Ai përsëriti se edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë kushte të plotësuara për fillimin e negociatave, ndërsa BE-ja dëshiron të sheh sa ma shpejtë hapjen e negociatave, ai lavdëroi edhe përkushtimet e qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për zgjidhjen e çështjeve të hapura dypalëshe.

“Në asnjë rast gjendja e luftës në Ukrainë nuk do të thotë se ka ndonjë ndikim në vendin tuaj, por përkundrazi kjo vetëm e nënvizon rëndësinë nga ana e Bashkimit Evropian për të theksuar perspektiven e vendit që në fakt është shpresa më e mirë, perspektiva më e mirë që jep siguri, perspektiva që jep prosperitet në korniza të një sistemi demokratik siç është edhe vet BE-ja. Në asnjë mënyrë kjo nuk ka ndikim ndaj gjendjes apo të ardhmes të vendit tuaj, në fakt BE-ja me vendosmëri punon në perspektiven e vendit tuaj”, deklaroi Gir.

Në pyetjen e gazetarëve për gjendjen në sistemin gjyqësor, Gir tha se në përputhje me raportin e Komisionit Evropian ka progres, por edhe shumë punë për të përfunduar.