Gërvalla pritet nga Fajon në Bled para pjesëmarrjes në forum

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se sot në Bled të Sllovenisë është pritur nga homologia e saj, Tanja Fajon.

Gërvalla ka shpërndarë disa fotografi të saja me Fajon, ku është atje për të marrë pjesë në kuadër të Forumit të Bledit.

Gërvalla, në Forumin e Bledit, do të paraqesë përkushtimin e Republikës së Kosovës për të luajtur një rol aktiv dhe konstruktiv në avancimin e strategjive rajonale dhe globale për paqe, siguri dhe stabilitet.

“Ministrja Gërvalla gjatë paneleve dhe takimeve do të theksojë përparimin që Kosova ka arritur në përmbushjen e kushteve në procesin e integrimeve euroatlantike, reformat e thella në sundimin e ligjit, avancimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik. Ministrja Gërvalla do të nënvizojë gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit multilateral për të adresuar dhe tejkaluar sfidat globale, duke pozicionuar Kosovën si një partner të besueshëm të shteteve demokratike dhe të përkushtuar në skenën ndërkombëtare”, ka thënë MPJD në njoftimin për shkuarjen e Gërvallës në Bled, përcjell Klankosova.tv.

“Në kuadër të pjesëmarrjes së saj në Forumin Strategjik të Bledit, Ministrja Gërvalla do të zhvillojë takime me ministrat e jashtëm të vendeve pjesëmarrëse, përfaqësues të institucioneve globale, shoqëri civile dhe medie, duke thelluar marrëdhëniet diplomatike dhe duke promovuar interesat e Kosovës në arenën ndërkombëtare”.