Gërvalla përmbyll vizitën në Izrael duke takuar përfaqësues të Parlamentit

Në kuadër të vizitës në Izrael, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, vizitoi të martën Parlamentin e Izraelit, ku u takua me përfaqësues të ndryshëm të Knesset-it.

Gjatë takimit me Ram Ben Barak, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Mbrojtje, ministrja Gërvalla nënvizoi natyrën e veçantë të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Kosovës dhe bëri një përshkrim të mundësive dhe nevojës për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të tyre në të ardhmen.

Sipas njoftimit të MPJD, gjatë bisedës theks i veçantë u vu në sfidat gjeopolitike të krijuara nga lufta ruse në Ukrainë dhe rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor.

Ministrja Gërvalla ka zhvilluar takim edhe me Zeev Elkin, ministër i Jerusalemit dhe Trashëgimisë, me tw cilin kanë diskutuar për një përfshirjeje më të mirë dhe efektive të gjeneratave të ndryshme të diasporës dhe mërgatës. Gërvalla theksoi se Kosova mund të përfitojë shumë nga përvoja e gjatë dhe mbresëlënëse e Izraelit në këtë fushë.

Gjithashtu ministrja Gërvalla është takuar edhe me Ali Salalha, Kryetar i Grupit të Miqësisë Izrael – Kosovë. Me këtë rast Ministrja Gërvalla theksoi nevojën e një bashkëpunimi më të dendur parlamentar mes Knesset-it dhe Kuvendit të Kosovës.

Delegacioni i Republikës së Kosovës tw martwn e përfundoi ditën me një pritje në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem, ku morën pjesë përfaqësues të ndryshëm të ekonomisë dhe shoqërisë izraelite, si dhe përfaqësues të diasporës shqiptare në Izrael.

Përfaqësuesja e Republikës së Kosovës në Izrael, Ines Demiri, vuri në pah në veçanti frymën shumë miqësore të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Kosovës dhe theksoi potencialin e madh të bashkëpunimit në të ardhmen.

Delegacioni i Republikës së Kosovës gjatë vizitës në tre ditore në Izrael ishte i shoqëruar edhe nga ambasadorja e Izraelit për Kosovën, Tamin Ziv dhe drejtori për Ballkanin pranë Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Dani Oryan.

Në përmbyllje të vizitës në Izrael, delegacioni i Republikës së Kosovës vizitoi qendrat historike dhe arkeologjike të Jerusalemit. Nga Izraeli, zëvendëskryeministrja Gërvalla ka udhëtuar për në Bruksel dhe do të marrë pjesë sonte në darkën e organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, thuhet në njoftim.