Gazetarja tregon metodën e re që përdorin shqiptarët për trafikimin e kokainës nga Ekuadori: Është ajo e ‘thyerjes së bravës’

Mbrëmjen e sotme në emisionin “Në Shënjester”, gazetarja Fatjona Medini, duke folur për trafikimin e kokainës kryesisht nga Ekuadori, ka treguar disa nga metodat që bosët e drogës përdorin për të bërë transportin.

Ajo tha se ka disa taktika, mes të cilave trafikimi përmes kontejnerëve dhe vendosja e drogës në dhomat frigoriferike, por dhe metoda e thyerjes së bravës së kontejnerëve dhe futjes së mallit pas kontrollit në doganë.

“Një nga taktikat që përdoret për të fshehur kokainë, është ajo e fshehjes në strukturën e kontejnerit. Eksportet më të mëdha nga Ekuadori janë kryesisht banane apo fruta të tjera që kanë kohë skadimi të shkurtër dhe mbahen në dhoma frigoriferike dhe shfrytëzohet mundësia për të vendosur kokainë, por vendoset dhe në tavan apo në dysheme të kontejnerit.

Metoda e prishjes së bravës përdoret gjithashtu shumë. Në momentin që nuk ka kokainë në kontejner, ndodh thyerja e bravës, shumëfishohen ato, mbyllet kontejneri në doganë dhe sigurohet që është i pastër, atëherë shkohet dhe thyhet brava dhe krijohet një vulë që duket sikur është nga dogana dhe kur shkon në portin që duhet të merret, hapet kontejneri, merret dërgesa dhe vendoset vula për të kaluar pa kaluar nga pjesa e doganës. Metodë që përdoret në Ekuador është edhe kur anija lë portin dhe në këtë moment, me skafe të vogla trafikantët i afrohen anijes dhe vendosin drogë, përmes bashkëpunimit me stafin e anijes. Në rastin e kontejnerëve, deri tani kanë qenë super të sigurt për kokainë, sepse volumi i kontejnerëve është ai i madh , sa vetëm 2% e tyre ekzaminohen në mënyrë të hollësishme, aty kuptohet sa e vështirë është që të gjendet ku është kokaina. Një metodë tjetër është dhe transporti i drogës përmes jahteve”, u shpreh Medini.

Por a kanë dijeni për ngarkesat e kokainës pronarët të cilët kanë porositur bananet apo një tjetër produkt?

“Në këtë metodë që ju paraqitët, gjasat janë të mëdha që pronarët porositës të bananeve, mos të kenë përgjegjësi, por kjo është vetëm një nga teknikat. Teknikë shumë e përdorur, si në rastet e Çekajve, kokaina vendoset në kutitë e bananeve dhe në këtë rast janë të përfshirë dhe përfaqësuesit që marrin bananet”, deklaroi në emisionin “Në Shënjester” Medini.