Florin Besimi para gazetarëve: Nuk ndjehem fajtor dhe këtë do ta dëshmoj

Shkup, 6 shtator – Për shkak të mungesës së disa prej të akuzuarve u shty gjykimi për zjarrin në spitalin modular në Tetovë më 8 shtator të vitit 2021 kur jetët i humbën 14 persona. Gjykatësi Jordan Vellkovski gjykimin e caktoi për më 14 tetor në orën 10.

Nga të akuzuarit në seancën e parë gjyqësore ishte i pranishëm ish-drejtori i Spitalit Klinik në Tetovë, Florin Besimi, përderisa mungonin drejtori ekonomik Artan Etemi dhe mjeku Boban Vuçevski.

“Gjithçka që kam për të thënë për këtë proces gjyqësor për rastin tragjik, do ta them para gjykatës. Ju kërkoj si media dhe publik ta ndiqni këtë proces. Sepse jam i bindur që sistemi gjyqësor do të dëshmojë të vërtetën. Prandaj jam sot këtu për të thënë të vërtetën, dua që e njëjta të zbardhet sa më shpejt dhe të zbulohet e vërteta për këtë rast”, deklaroi për mediat i akuzuari Florin Besimi pas shtyrjes së gjykimit.

Në pyetjen e gazetarëve se a është fajtor, Besimi tha se nuk e pranon fajin.

Këtë do ta them në gjykatë me prova. Jo”, tha Besimi duke u larguar.

Gjykimi pasoi pasi më 27 korrik Prokuroria ngriti Aktakuzë në Gjykatën Themelore në Tetovë. Me atë propozim PTHP Tetovë i akuzoi dy drejtorët e Spitalit Klinik në Tetovë F.B. dhe A.E. për veprën penale vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme dhe B.V. për veprën penale mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë përderisa personin juridik ISHP Spitali Klinik në Tetovë për veprat penale shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë.

Prokuroria dhjetë muaj bënte hetime në të cilat analiza profesionale ishin bërë nga MPB, Fakulteti Teknologjik, nga profesionistë – elektroinxhinier, si dhe ekspertë dhe hetues nga policia kriminalistike federale e Gjermanisë

Në tetor të vitit 2021 pas ekspertizës së MPB, Prokuroria informoi se zjarri në spitalin modular ishte shkaktuar si pasojë e djegies së një kablloje vazhduese, në të cilën ishin të vendosura një defribrillator – aparat për reanimim, një mbushës për celular dhe një pajisje tjetër.

Dy drejtorët e atëhershëm të spitalit të Tetovës atëherë dhanë dorëheqje, por mbetën në funksionet e tyre deri në rikonstruimin e Qeverisë. Zjarri në spitalin modular në Tetovë shpërtheu më 8 shtator të vitit të kaluar. Në stuhinë e zjarrit për disa minuta deri në themel u dogj objekti, jetën e humbën 14 persona, ndërsa shumë pacientë ishin lënduar rëndë.