Filloi konferenca rajonale “Paqe dhe prosperitet në Ballkanin Perëndimor”

Shkup, 14 dhjetor – Në Shkup sot filloi konferenca rajonale “Paqe dhe prosperitet në Ballkanin Perëndimor”.
Në konferencë fjalim mbajti edhe ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska e cila theksoi se Maqedonia e Veriut vazhdimisht punon me qëllim hyrjen në Bashkimin Evropian.
“Në rrugën drejt BE-së ka shumë detyra dhe obligime. Të gjithë e dimë se Maqedonia e Veriut është para sfidës së miratimit të ndryshimeve kushtetuese të cilat fatkeqësisht nuk janë miratuar deri më tani”, tha ministrja.
Në konferencë fjalim do të kenë edhe Kristin Melsom, ambasadore e Mbretërisë norvegjeze për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, Marija Risteska drejtorashë ekzekutive e Qendrës për hulumtim dhe krijim të politikave-CIKP dhe Dajana Cvetkoviq menaxhere programuese e SMART -Ballkan nga Qendra për avancim të shoqërisë civile nga BeH.
Konferenca rajonale “Paqe dhe prosperitet në Ballkanin Perëndimor” mbahet në organizim të Qendrës për hulumtim dhe krijim të politikave dhe konsorciumit SMART- Ballkan. Ngjarja është pjesë nga projekti SMART Ballkan- Shoqëria civile për Ballkanin Perëndimor që ka për qëllim të kontribuojë në forcimin e demokracive participuese dhe integrimeve euroatlantike në Ballkanin Perëndimor, kurse zbatohet në partneritet mes Qendrës për avancimin e shoqërisë civile nga Bosnje dhe Hercegovina, Qendrës për hulumtim dhe krijim të politikave nga Maqedonia e Veriut dhe Institutit për demokraci dhe ndërmjetësim nga Shqipëria.