“Festo me zemër, jo me armë” – fushatë e MPB-së dhe UNDP-së kundër të shtënave në festime

Shkup, 6 shtator – Armët dhe mjetet piroteknike nuk janë “mysafirë” të mirëpritur në festime – është mesazhi kryesor i fushatës “Festo me zemër, jo me armë”, e cila u zbatua kohëve të fundit nga Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). Në kuadër të aktivitetit, nëpunës policorë nga të tetë Sektorët e Punëve të Brendshme në vend, bashkëbiseduan me qytetarët dhe shpërndanë material edukativ duke theksuar pasojat e përdorimit të armëve në festat familjare.

“Përveç masave represive që po marrim, sigurisht që po punohet edhe në mënyrë parandaluese për të eliminuar bashkërisht këtë fenomen të padëshiruar, i cili fatkeqësisht prej vitesh është prezent jo vetëm në vendin tonë, por edhe rreth nesh. Njësitë tona të parandalimit organizuan aktivitete ditore në të gjithë territorin e vendit, ku i informuam qytetarët për dispozitat ligjore që sanksionojnë një sjellje të tillë dhe dënimet që shqiptohen, si dhe vëmendje e veçantë iu kushtua rreziqeve të përdorimit të armëve për shëndetin dhe jetën. Përveç bisedave, qytetarëve iu shpërndamë edhe materiale edukative të shtypura për të ndikuar në vetëdijesimin e tyre”, thotë Toni Angellovski, ndihmës i ministrit të Punëve të Brendshme.

https://www.facebook.com/mvr.gov.mk/posts/pfbid0PrAa5Y3HKJekFyEyCszxSM3PTyAKg1xdrg1DRH3MZeTcXinVzzPwzvu52Vk9LyWMl

Përdorimi i armëve të zjarrit sanksionohet me Ligjin për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike dhe në varësi të pasojave, të shtënat me armë mund të përbëjnë edhe vepër penale të “shkaktimit të rrezikut publik”, për të cilin është paraparë dënim me burg nga një deri në pesë vjet. Në kuadër të fushatës, qytetarëve iu tha se të shtënat me armë zjarri mund të jenë fatale dhe të përfundojnë me vdekje, lëndime, dëmtime materiale dhe pasoja të tjera.

“Tradicionalisht, arma përdoret për të shtëna ceremoniale. Jam i sigurt se askush nuk dëshiron qëllimisht ta kthejë ditën më të lumtur të një familjeje në një tragjedi të madhe për një tjetër, por mundet dhe ka ndodhur. Prandaj, është shumë e rëndësishme që të gjithë ne jo vetëm të ngremë zërin kundër të shtënave festive, por edhe të marrim masa. Le të marrim përgjegjësi dhe të tregojmë se mënyra më e mirë për të festuar është duke kënduar dhe kërcyer, jo me të shtëna”, tha Sanja Bojaniq, Zëvendës përfaqësuese e përhershme e UNDP-së. Fushata parandaluese “Festo me zemër, jo me armë” është realizuar si pjesë e planit operacional të Ministrisë së Punëve të Brendshme “Verë e sigurt 2022” dhe është mbështetur nga UNDP-ja në kuadër të projektit “Qasja institucionale e integruar ndërkufitare në luftën kundër tregtisë së paligjshme të armëve dhe armëve të vogla dhe të lehta”.