Escobar dhe Lajçak: Nuk do të imponojmë modele për krijimin e Asociacionit
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak tha se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Në një konferencë të përbashkët për media në Prishtinë, në përfundim të vizitës së tyre treditore në Kosovë, Escobar tha se nuk erdhën në Kosovë me propozime të gatshme që duan t’ua imponojnë palëve, sa i përket krijimit të Asociacionit.
“Nuk duhet të jenë modele që minojnë sovranitetin e Kosovës dhe funksionalitetin. Pra, ne duhet të gjejmë një prej këtyre modeleve. Ato mund të gjenden, mund të negociohen dhe palët mund të pajtohen. Ky është qëllimi i dialogut. Nuk është qëllimi i SHBA-së të imponojë një ose të zgjedhë një model në emër të palëve. Megjithatë, ne mund të ndihmojmë, nëse ka modele që ata do të duan të eksplorojnë”, tha Escobar.
Ndërkaq, Lajçak tha se tema e Asociacionit është diskutuar gjatë takimeve në Prishtinë me udhëheqësit e institucioneve, liderët opozitarë dhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Ai tha se askush nuk do një Republika Sërspka në Kosovë.
“Nëse dëshironi që t’i jepni fund ekzistimit të strukturave paralele, nëse dëshironi transparencë në rrjedhjen e parave, nëse dëshironi sundim të ligjit në veri, kjo mund të bëhet brenda sistemit ligjor dhe kushtetues të Kosovës”, tha Lajçak.
“Këshilla ime: Mos u frikësoni nga diçka që nuk ekziston dhe askush nuk do t’ua imponojë. Keni vetëbesim, jeni të vetëdijshëm se jeni bashkëpronar të këtij procesi dhe ju jeni partnerë të barabartë. Nuk ka asnjë arsye që të keni frikë për një proces që po e udhëhiqni së bashku me Serbinë dhe ne jemi këtu për t’u siguruar që çdo vendim të jetë i bazuar në normat, standardet dhe vlerat evropiane”, shtoi Lajçak.
Lajçak, që ndërmjetëson dialogun, tha se ky proces nuk është për “të negociuar statusin e Kosovës, dialogu është për të negociuar marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë”.
Escobar dhe Lajçak e vlerësuan vizitën në Prishtinë si produktive. Pas Kosovës, dy zyrtarët do të qëndrojnë në Serbi për t’u takuar me udhëheqësit politikë të atjeshëm.
Kjo vizitë e zyrtarëve perëndimorë u tha se ka për qëllim inkurajimin e palëve për dialog. Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar rund të bisedimeve në nivel të lartë që prej korrikut të vitit 2021./REL