EMV: Centrali fotovoltaik “Osllomej” ka vlerë energjetike, por edhe ekologjike

Shkup, 9 prill – Panelet e vendosura mbi minierën e vjetër për qymyr në Osllomej do të prodhojnë energji elektrike “të gjelbër”, nuk do ta ndotin ajrin dhe rrethinën, ndërsa hapësira përreth tyre do të mbillet me barë, i cili njëkohësisht do ta kthejë eko-sistemin dhe do të parandalojë grumbullimin e pluhurit mbi panelet fotovoltaike dhe uljen e efikasitetit të tyre, informojnë nga Elektranat e Maqedonisë së Veriut.

Nga atje shtojnë se centrali fotovoltaik i SHA EMV i ndërtuar në rrethinën e REK Osllomej në Kërçovë njëkohësisht është edhe rikultivim i tokës në të cilën në të kaluarën gërmohej qymyr.

Për këto arsye, projekti i centralit fotovoltaik në Osllomej është i rëndësishëm jo vetëm për nga vlerat e tij energjetike, por edhe nga pikëpamja ekologjike për rrethinën më të afërt dhe më të largët të REK Osllomej. Centrali është aktualisht në funksion, tashmë shfrytëzon diellin që është i bollshëm në këtë rajon dhe kontribuon në prodhimin total ditor të SHA EMV, thuhet në kumtesë.