Emigrantët shqiptarë alarmojnë Britaninë, deputetët: Dërgojini në Ruandë

Trafikantët po mashtrojnë emigrantët nga Shqipëria që të shkojnë drejt Britanisë përpara se të zgjidhet kryeministri i ri, është ky artikulli i shkruar në median britanike ‘The Sun’ dhe jo vetëm.

Ata u thonë emigrantëve se një udhëheqës i ri do të ndalojë të gjitha kalimet me një armatë patrullash.

Kontrabandistët kanë ulur çmimin deri në 2 000 £ për person, krahasuar me 10 000 £ në muajt e kaluar. Ndërkohë çmimet për kalimin e fshehur në një kamion janë rreth 22 000 £.

Zbulimet vijnë pasi një raport i inteligjencës zbuloi se katër në dhjetë persona që mbërrijnë në Britani me varka të vogla janë nga Shqipëria. Nëntë banda u morën me kalimin e 2 863 emigrantëve nga 1 qershori deri më 12 korrik. Prej tyre, 1 075 ishin shqiptarë.

Një burim për mediat britanike u shpreh se shqiptarëve u thuhet se qindra njerëz do të patrullojnë Kanalin, gardhe do të ruajnë bregdetin, se ata do të kthehen dhe do të humbasin paratë e tyre.

Deputetja Natalie Elphicke tha se kryeministri i ri duhet t’i shohë vendkalimet si një “prioritet kyç”. Madje, disa deputetë britanikë u bënë thirrje ministrave që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të deportuar emigrantët në Ruandë.

Sekretarja e Brendshme Priti Patel është shprehur se “postimet në mediat sociale të përdorura nga kontrabandistët që promovojnë kalimet e paligjshme janë krejtësisht të papranueshme”.

Ajo ka shtuar se askush nuk duhet të vërë në dyshim vendosmërinë e qeverisë për të thyer modelin e biznesit të bandave kriminale.