Editorial: Tryeza e partive shqiptare në Maqedoni? O sot o kurrë!

Shkup, 12 Qershor – Edhe pse kaluan disa ditë nga realizimi i tij, te një pjesë e madhe e opinionit shqiptar në Medoninë e Veriut vazhdon të shikohet nga “prizmi negativ“ takimi i përbashkët mes kryeministrit Dimitar Kovaçevski, në cilësinë e kryetarit të LSDM-së dhe Hristijan Mickovskit, si kryetar i VMRO-DPMNE-së. Reagimet negative janë për shkak se në takim nuk u përfshi asnjëri prej liderëve të partive politike shqiptare. Këto reagime nuk janë të adresuara vetëm ndaj Kovaçevskit e Mickovskit, por edhe ndaj subjekteve politike shqiptare që kanë lejuar të defaktorizohen deri në atë nivel, sa që dy partitë më të mëdha maqedonase nuk e ndiejn fare si obligim t’i përfillin.

Krejt kjo ka shkaktuar situatë të mundshme që Qeveria e zgjeruar LSDM-VMRO-DPMNE mund të mbetet pa asnjë parti shqiptare brenda saj. Të gjitha subjektet politike shqiptare në Maqedoni të Veriut, opozitë dhe pushtet deklarojnë se nuk duan të jenë pjesë e një Qeverie të tillë shkruan Zhurnal

Janë këto sinjale shqetësuese se pozicioni shqiptar në Maqedoninë e Veriut po degradohet edhe atë për fajin e politikës dhe politikanëve tanë.

Gjeneratat e sotme kanë fatin e madh që nuk gjenden më para dilemës nëse do të zgjedhin protestat ose konfliktin për arritjen e synimeve legjitime, sepse si vend anëtar i NATO-s dhe vend para dyerve të BE-së, për fat të mirë rrezik i tillë më nuk ekziston. Por sfidat gjithsesi se ende janë prezente dhe ato duhet marë parasysh më seriozisht nga subjektet politike.

Partitë shqiptare duhet të kërkojnë informacion serioz dhe zyrtar nga Kovaçevski dhe Mickovski se çka është biseduar në takimin e liderëve, e të mos lejojnë të krijohet huti në opinion se është biseduar kjo ose jo. Sepse në një vakum të tillë informatash relevante, në opinionin po paraqiten versione të ndryshme për prapaskenat e takimit DK-HM (Dimitar Kovaçevski-Hristijan Mickovski).

Në njërën anë paraqiten dyshimet se është biseduar për qeveri pa parti shqiptare, në anën tjetër për model pa përmbushur premtimin për kryeministrin e parë shqiptar, por edhe dyshime se LSDM dhe VMRO janë marë vesh për “bashkimin e forcave” që të mos lejohet ndryshimet kushtetuese të kushtëzohen me kërkesën e shqiptarëve për zëvendësimin e “20 për qindëshit” me termin “gjuha shqipe”, shkruan Zhurnal.

Sepse dilema pse 20-për qindëshi nuk bëhet “gjuha shqipe” është shumë e madhe. Fillimisht kjo ngjall dyshime mos ndoshta dikush po shpreson se një ditë shqiptarët do të bien nën 20 për qind si pasojë e migrimit dhe rënies së natalitetetit dhe që atë ditë do të hiqet obligimi për përdorim zyrtar të gjuhës shqipe? Tingëllojnë si dilema konspiracioniste, por të cilat mund të hidhen poshtë vetëm nëse pranohet kërkesa legjitime për qartësimin e statusit të gjuhës shqipe përmes ndryshimit të Kushtetuetës, shkruan Zhurnal.  

Parashtrohet pyetja nëse LSDM dhe VMRO-DPMNE kanë arritur marëveshje për ndryshimet kushtetuese, atëherë pse nuk janë marë vesh edhe për heqjen e “20 për qindëshit”? Nëse është tejkaluar një dallim aq i madh lidhur me futjen e bullgarëve në Kushtetutë, atëherë pse nuk është tejkaluar edhe për “20 për qindëshin”?

Ndoshta po i parashtrojmë si dilema në “hapësirë boshe”, por vetë politika i ka fajet që është krijuar një hapësirë e tillë. E ky boshllëk i panevojshëm, ndoshta mund të plotësohet me një takim të Tryezës së partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ndoshta nevojitet një koordinim brenda shqiptar lidhur me momentin e krijuar politik në vendin tonë, e pastaj edhe një takim i ri liderësh ose i formatit “2+2”, ose i formatit të zgjeruar. Nuk duhet kjo asesi të kuptohet si kërkesë “nacionaliste” e shqiptarëve, siç ndodh zakonisht të trajtojnë disa medium maqedonase çdo koordinim Brenda shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, por si një kontribut shtesë për zhvendosje nga binarët e gabuar në të cilët mund të kahëzohemi, në binarët e vërtetë që na çojnë kah Brukseli. /Zhurnal