EDITORIAL / Shqiptarët kërkojnë hisen që u takon, ç’po i pengon kjo Apostol Simovskit !
Shkruan, Agjencia Zhurnal.mk
Shkup, 19 gusht – Në administratën shtetërore duhet të punësohen 31.54 për qind e shqiptarëve, sipas përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike, kështu është rekomandimi i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, e cila ka marrë për bazë numrin e përgjithshëm të popullsisë së numëruar dhe jo vetëm atë rezidente. Kundër kësaj përqindje ka dalë drejtori i statistikave, Apostol Simovski, i cili thotë se në administratë duhet të ketë jo më shumë se 24.3 për qind shqiptarë, sepse kaq është numri i shqiptarëve që jetojnë brenda Maqedonisë së Veriut. Por, Simovski reagon i dirigjuar nga politika, vetëm në momentin kur shqiptarët duhet të marrin hisen që u takon, dhe asnjëherë nuk reagoi se përse nuk ka ende asnjë shqiptarë në disa institucione shtetërore.
Shqiptarët kërkojnë hisen që u takon
Në faqen e Ministrisë për administratë më 5 gusht është bërë një njoftim se është bërë një ndryshim në mënyrën e funksionimit të së ashtuquajturit metodë, “Balancer” sipas rezultateve të fundit të Censusit në vitin 2021. Ministria është përgjegjëse për Metodologjinë për planifikimin e punësimit në sektorin publik në përputhje me politikën e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të miratuar në vitin 2016.
Nga kjo Ministri me të drejtë pohojnë se numri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është mbi tridhjetë për qind, duke marrë për bazë të dhënat e fundit. Pikërisht për këtë arsye dhe duke pasur parasysh Metodologjinë së dakorduar tani e tutje 31,54 për qind e shqiptarëve duhet të jenë në çdo ministri apo institucion shtetëror,
Rezultatet e Censusit, të publikuar në muajin mars, tregojnë se popullsia e përgjithshme rezidente në vend është 1.836.713 banorë, prej të cilëve 58,44 për qind janë maqedonas, 24,3 shqiptarë, 3,86 turq, 2,53 romë, 0,47 vllehë, 1,3 serbë dhe 0,8 boshnjakë 0,87, ndërsa nga numri i përgjithshëm i popullsisë së regjistruar është 2.097.319 persona, kurse popullsia jorezidente është 260.606. Nga numri i përgjithshëm i regjistruar, 54,21 për qind janë deklaruar maqedonas, 29,52 janë shqiptarë, 3,98 turq, 2,34 romë, 1.18 serbë, 0,87 boshnjakë dhe 0,44 vlleh.
Popullsia rezidente përfshin edhe 132,269 qytetarë të paregjistruar, që përbën 7,3 për qind të numrit të përgjithshëm të 1,836,713 personave të regjistruar.
Drejtori i statistikave nuk i llogaritë shqiptarët që jetojnë në diasporë
Drejtori i Entit shtetëror për statistika, Apostol Simovski theksoi se kategoria e vetme e vlefshme është popullsia rezidente dhe kjo është në përputhje me të gjitha standardet e OKB-së që vlejnë për të gjitha vendet e botës dhe është pranuar nga Eurostat-i. Ai thotë se ne si shtet vendosëm të numërojmë kategorinë e popullsisë jorezidente sepse kemi problem me emigracionin dhe ato të dhëna duhet të përdoren për të krijuar politika për uljen e emigrimit dhe mundësisht kthimin e njerëzve, por ata nuk mund të jenë pjesë e asnjë kategorie tjetër të popullsisë. Kjo i bie që në vend se 31.54 për qind, në institucionet shtetërore duhet të jenë 24.3 për qind shqiptarë.
Sipas tij ata shtatë për qind të qytetarëve që janë renditur duke përdorur baza të ndryshme të dhënash dhe për të cilët nuk ka të dhëna për kombësinë, duhet të mbeten në grupin “të tjerë”.
Maqedonasit po e ndryshojnë etninë vetëm për tua zënë vendin shqiptarëve
Çështja e “balancerit” në Maqedoninë e Veriut është menduar si formë për të arritur përqindjen e duhur të çdo bashkësie etnike, sipas përqindjes së tyre në administratën shtetërore dhe publike. Një e drejtë që buron nga Marrëveshja e Ohrit, duke pasur parasysh përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Por, asnjëherë nuk i ka shkuar në mend dikujt se për të zënë një vend pune, maqedonasit do të ndryshojnë identitetin kombëtar, vetëm me një deklaratë noteriale, dhe në këtë mënyrë do tua zënë vendin e punës sërish shqiptarëve. Ajo që ka ndodhur deri më tani është se në konkurset ku pranohen që i punësuari të jetë i etnisë shqiptare, turke, rome etj., aplikojnë aplikantë të etnisë maqedonase dhe në grafën e etnisë e shkruajnë se janë shqiptarë, ose rom, turk… Në fund të konkursit, pranohet ata që kanë manipuluar me konkursin dhe kjo mënyrë e funksionimit për shumë drejtorë, ministra e funksionarë partiak është e drejtë, sepse sipas tyre, ata nuk kanë të drejtë të konfirmojnë identitetin e çdo të punësuari, por kjo bëhet në bazë të deklaratës që ata e nënshkruajën kur punësohen.
Ky problem ka ngjallur reagime të shumta dhe për këtë arsye është kërkuar që në të ardhmen në çdo letërnjoftim të shkruajë se cilës përkatësi etnike i takon çdo qytetar. Kundër kësaj ideje ka dalë ambasadori i BE-së, i cili ka sqaruar se në integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE është e papranueshme të shkruhet në letërnjoftim etnia e çdo qytetari. Prandaj, pas këtyre vërejtjeve, është menduar që kjo formë e të shprehurit të përkatësisë etnike të jetë opsionale dhe jo e detyrueshme. Megjithatë edhe kjo gjë nuk ka kaluar si propozim në Kuvend dhe deri sa të gjendet një zgjidhje e përhershme, çështja e etnisë do të mbetet gjithmonë e diskutueshme.
Shqiptarët ende të pa përfaqësuar në të gjitha nivelet
Përkundër shumë përpjekjeve për të arritur përqindjen e duhur nëpër institucionet shtetërore e publike, sërish ende ka institucione ku numri i shqiptarëve të punësuar është ende shumë i ulët. Në disa pjesë “senzitive” të shtetit qoftë në ushtri ose polici, ende shqiptarët nuk janë pjesë e tyre, sepse disa funksionarë ende kërkojnë që ato të jenë ekskluzivisht për maqedonasit. Ngjashëm është edhe në Akademinë e Shkencave dhe Arteve, ku në statistikat e fundit dolën të dhëna se numri i shqiptarëve është për të ardhur keq, e ngjashëm kështu janë edhe shumë institucione tjera.
Në shumë institucione nëse është arritur përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në nivel horizontal, ka ende shumë për t’u bërë në avancimin e shqiptarëve në këto institucione, gjë që ende nuk është arritur siç duhet, sepse “balanceri” aplikohet vetëm në punësimet e reja, por nuk kërkohet përgjegjësi në gjendjen aktuale të përfaqësimit të drejtë në nivelet më të larta.
Gjithsesi, përveç përfaqësimit adekuat nëpër administratën shtetërore, shqiptarët duhet të marrin hisen e tyre edhe në ndërmarrjet publike të biznesit, ku shumë kompani shtetërore ende nuk kanë përfaqësimin e duhur. Nuk duhet lejuar që disa institucione ku pagat janë më të larta, reputacioni i tyre është më i madh, të jenë ekskluzive për maqedonasit, e disa të tjera si “Higjiena komunale” kryesisht të punojnë shqiptarët e romët.
Andaj, reagimeve të llojit si të Simovskit e të tjerëve duhet t’iu thuhet hapur se shqiptarët nuk po kërkojnë asgjë më tepër se çfarë është e tyre, ata nuk po e ndryshojnë etninë për tua zënë vendin e punës maqedonasve, por po ndodh e kundërta, dhe nuk ka asnjë institucion ku janë të gjithë të punësuar shqiptarë siç ka të punësuar maqedonas.
Shqiptarët po kërkojnë vetëm hisen e tyre, dhe asgjë më tepër! // Zhurnal.mk

