Editorial: Samiti i Vilniusit, a po e mbivlerëson NATO pa nevojë Rusinë, sikur që e mbivlerësonte Serbinë në vitet e 90-ta?
Shkup, 12 korrik – Për të krijuar një pasqyrë më të qartë për agresionin në Ukrainë, NATO duhet të marër shembull agresionet e Serbisë (asokohe ende RF e Jugosllavisë) ndaj vendeve fqinje në kohën e shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Jo më kot thuhet se Serbia është ‘Rusia në miniaturë’ dhe jo rastësisht janë bërë paralele krahasimi mes presidentit rus Vladimir Putin, që veçmë akuzohet për krime lufte dhe ish presidentit serb Sllobodan Millosheviq, i dënuar për krime lufte.
Mësimi i nxjerrë nga Millosheviqi, të shfrytëzohet kundrejt Putinit!
Gjatë kohë NATO shpresonte se Millosheviqi do të mbushet me mend dhe se do të bindet për zgjidhje paqësore, shkruan Zhurnal. Madje kishte periudha kur ai trajtohej nga komuniteti ndërkombëtar si faktor stabiliteti. Mirëpo zhgënjimet ishin të njëpasnjëshme. Filloi me Slloveninë, vazhdoi me Kroacinë, pastaj në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, duke shkaktuar masakra të tmerrshme, siç ishin Srebrenica e Reçaku.
Në fund NATO ishte e detyruar të intervenojë. U pa që Serbia dhe Milosheviqi nuk janë aq të fuqishëm sa që supozohej dhe se tolerimi i treguar ndaj tij mori mijëra e mijëra viktima të pafajshme, që do të mund të ishin evituar sikurse të intervenohej me kohë. Doli në shesh se një pjesë e madhe e apetiteve gjakatare të Millosheviqit ndaj vendeve fqinje (ish republika jugosllave) është ushqyer pikërisht nga bindja e tij se perëndimi do të tregohet i ashpër me retorikë, por se nuk do të marë vendim për të intervenuar. Kur NATO vendosi të intervenojë, u pa qartë se Serbia dhe ushtria e saj, që në fakt ishte pjesa më e madhe e ushtrisë s së ish Jugosllavisë, ka qenë një “kullë prej kartave”, forca e së cilës është glorifikuar pa nevojë, shkruan Zhurnal.
Qëllimi ynë përmes këtij editoriali është të parashtrojmë dilemën, nëse në rastin e Ukrainës NATO po përsërit gabimet nga e kaluara, konkretisht nga shembulli i ish Jugosllavisë. Mos ndoshta po shpreson se Putin do të fillojë të mendojë në mënyrë racionale dhe do të pajtohet për ndonjë zgjidhje paqësore? Mos ndoshta po e mbivlerëson forcën ushtarake të Rusisë, që dorën në zemmër është më e madhe se e Serbisë dhe RF Jugosllavisë së dikurshme, por siç po shihet dita ditës nuk është në atë nivel që kemi menduar.
A duhej të tregohet më kategorike dhe më e vendosur NATO në Samitin e Vilniusit?
NATO gjithsesi mori vendime historike në Samitin e Vilnusit sa i përket Ukrainës. Mirëpo fillimi i këtij Samiti nuk ishte aq premtues. Prandaj me të drejtë preisdenti ukrainas, Volodymir Zelenski tha se Ukraina meriton respekt, duke shtuar se duket se ende vendet e aleancës nuk janë të gatshmë për ta ftuar Ukrainën të pjesë e aleancës.
“Është e paprecedentë dhe absurde kur nuk përcaktohet afati kohor as për ftesën dhe as për anëtarësimin e Ukrainës.
Ai shprehu edhe vërejtje që në të njëjtën kohë shtohen formulime të paqarta për ‘kushtet’ edhe për ftesën e Ukrainës.
“Duket se nuk ka gatishmëri as për ta ftuar Ukrainën në NATO dhe as për ta bërë atë anëtare të Aleancës.
Kjo do të thotë se ekziston mundësia që diçka e tillë të diskutohet në negociatat me Rusinë. Dhe për Rusinë, kjo do të thotë motivim për të vazhduar terrorin e saj,” tha Zelensky.
Kjo qasje kritike e Zelenskyt para fillimit të Samitit si duket pati efektin e duhur, shkruan Zhurnal, që të mërkurën ai të nënvizojë se rezultati i samitit të NATO-s nishte një sukses domethënës për Ukrainën.
“Sot ka garanci sigurie për Ukrainën në rrugën drejt NATO-s, një paketë e rëndësishme garancish sigurie.
Sot ne po koordinohemi me vendet e G7. Kuadri për garancitë e sigurisë që do të zgjerohet më tej përmes marrëveshjeve dypalëshe dhe shumëpalëshe me partnerët tanë kryesorë,” tha ai.
“Delegacioni ukrainas po dërgon në shtëpi një fitore të rëndësishme për Ukrainën, për vendin tonë, për popullin tonë, për fëmijët tanë. Kjo na hap mundësi të reja,” përfundoi Zelensky, duke sjellur një lajm të mirë për vendin e tij por edhe për mbarë botën demokratike.
Ndërkohë mbetet dilema nëse kishte hapësirër që NATO të dërgonte porosi edhe më të fuqishme kundrejt Rusisë, të cilat ndoshta do të shpëtonin jetë të civilëve ukrainas, sikurse do të ndodhte në rastin e Serbisë dhe viktimave të pafajshme që ndoshta nuk do të ndodhnin, sikur të intervenohej me kohë kundër Millosheviqit./Zhurnal

