Editorial: Po të ishin gjallë Ibrahim Rugova e Arbër Xhaferi do ishin sot me Albinin, apo kundër Albinit?

Shkup/Prishtinë, 1 Qershor – Kur i shikojmë dhe analizojmë ngjarjet nga një distancë e caktuar kohore, është lehtë ta definojmë se kur ka qenë fillimi i asaj ngjarje, kur ka qenë kulminacioni, e kur përfundimi. Poashtu është lehtë të definojmë edhe pasojat e asaj ngjare, qofshin pozitive,  ose negative. Nga distanca kohorë edhe më lehtë është të komentohet se “po të ishte vepruar në atë mënyrë”, do të ishte më mirë “se që u veprua në këtë mënyrë”.

Mirëpo çdo ngjarje, sado e madhe që është, përmban atë, që shumë filozofë e quajnë “pikë e aktualitetit”. Është kjo periudha deri sa ngjarja në fjalë është në vijim, duke u zhvilluar me të gjitha të panjohurat e saj dhe zhvillimet e reja që mund të sjellë çdo sekondë, minutë, orë, ditë ose javë, shkruan Zhurnal.

Kur ngjarja është e karakterit luftarak, mjeshtria e strategut ushtarak është që të parashikojë sa më mirë rrjedhën e ngjarjes, duke mos lejuar shmangie të mëdha nga strategjia që e ka paramenduar. Kur ngjarja është e  karakterit politik, atëherë është me rëndësi që politikani të mos lejojë që zhvillimi politik të devijojë në masë të madhe nga koncepti fillestar.

Kurse zhvillimet e sotme në Veri të Kosovës ngërthejnë në vete dy komponentat e lartëpërmendura-atë politike, por edhe atë të sigurisë (të mos themi ushtarake, sepse për dikë ndoshta do të tingëllojë shumë vrazhdët). Si zhvillime që janë në vijim, ato poashtu ngërthejnë edhe “pikën e aktualitetit”, kur gjërat shihen nga këndvështrime të ndryshme. Politikanë, analistët, gazetarët, por edhe qytetarët janë të ndarë se si është më mirë të veprohet: të dëgjohen ndërkombëtarët dhe të lëshohet pe para protestuesve serbë, ose të insistohet në respektimin e përpiktë të ligjit e kushtetutës. Të dy palët i kanë argumentet e tyre dhe me përjashtime të vogla, nuk mund të thuhet se dikush ka qëllime të këqija ose tendencioze, por thjesht shprehë bindjen e tij për variantin më të mirë për Kosovën. Por varësisht se si do të ëprfundojë ky proces qëndrimi i njërës palë një ditë do të quhet historik, kurse i palës tjetër antihistorik, shkruan Zhurnal.

Kurse mjeshtria e vërtetë është që sot, e jo pas disa muajve ose viteve, ta definojmë cili është qëndrimi i drejtë, e cili është qëndrimi antihistorik lidhur me zhvillimet në Veri. Meqë është një çështje e vështirë për momentin, duke pasur parasysh se siç thamë të dy palët kanë argumentet e veta, opinioni është mirë të orientohet nga qëndrimet e figurave tona historike, që të  përcaktohen se cilën anë të përkrahin, sepse kjo është me rëndësi kyçe që Kosova me sukses ta tejkalojë këtë sfidë.

Për vlerësim të saktë të situatës dhe për t’u përcaktuar cilën anë do të mbajmë, është me rëndësi të mendojmë se si do të logjikonindhe vepronin në këto momente Ibrahim Rugova, Arbër Xhferi, Adem Demaçi, Fehmi Agani, Ukshin Hoti…

Si do të mendonin dhe vepronin në këtë situatë Adem e Hamëz Jashari, Fehmi Lladrovci, Agim Ramadani, Zahiri, Shkëlzeni e Luani, …!

Në cilën anë do të ishin ata sot po të ishin gjallë? Në anën e Albinit apo kundër Albinit? Kur t’i japim përgjigje të sinqertë ndërgjegjës tonë lidhur me këtë pyete, atëherë do të jemi në anën e duhur të historisë, e jo në anën e gabuar! /zhurnal