Editorial: Para 24 viteve kapitulloi Serbia në Kumanovë, sot nuk guxon të kapitullojë Kosova përballë Serbisë!
Shkup/Prishtinë, 9 qershor – Sot shënohen 24 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës.
Kjo Marrëveshje ushtarako-teknike i dha fund dhunës serbe në Kosovë, duke detyruar Serbinë që t’i tërhiqte forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.
Ajo është nënshkruar nga Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq. Ky i fundit, më pas është akuzuar nga trbunali ndërkombëtar i Hagës për krime lufte dhe gjenocid.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje ndërmjet NATO-së dhe RFJ-së ishte parakusht për ndaljen e bombardimeve të NATO-s mbi caqet strategjike në ish-Jugosllavi.
Ajo përcaktonte një zonë sigurie ajrore 25 kilometra përtej kufirit të Kosovës, e ndërsa parashihte një zonë 5 kilometrash përtej kufirit me RFJ-në që nuk guxonte të vendosen armatimet e rënda dhe ushtria, përveç ushtarët kufitarë.
Marrëveshja e Kumanovës është nënshkruar më 9 qershor 1999, ndërsa ka hyrë në fuqi më 11 qershor të vitit 1999.
Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.
Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.
Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.
24 vite më vonë, Kosova ende përballet me sfida të njëpasnjëshme. Dhuna e regjimit serb moti kohë ka perënduar, por pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës ende nuk janë shuar, me tendencë të marin hov noshta edhe më të madh, në krahasim me para 10 viteve për shembull.
Në Serbi kemi një president të shkolluar sipas tezave më të egra të Akademisë serbe, por që para opinionit ndërkombëtar arrin t’i “shesë” deri diku si kërkesa legjitime.
Në Kosovë, për herë të parë kemi një qeveri me legjitimitet 50+ për qind, e cila ka vendosur të konfrontohet frontalisht me pretendimet e Serbisë, të manifestuara kryesisht përmes veprimeve të dirigjuara të serbëve të veriut.
Mjeshtëria më e madhe në udhëheqjen e shtetit çdo herë është të bëhet balancim i saktë i trimnisë dhe mençurisë, kuptohet konform rrethanave për rreth nesh, por edhe më gjerë në nivel kontinental dhe botëror.
Parimi i drejtësisë në këto rrethana nuk është çdo herë avantazh, por ndonjëherë nuk miret aq shumë në konsideratë.
Kjo është një periudhë e tillë. Kjo është një kohë kur parimi i balancimit të mençurisë dhe trimnisë duhet të vlejë si rrallë herë në parë!

