EDITORIAL / Maqedonisë së Veriut do t’i mungojnë investimet përderisa s’ka stabilitet politik

Shkruan, Agjencia Zhurnal.mk

Shkup, 9 shtator – Maqedonia e Veriut gjatë ditës së djeshme ka festuar 31-vjetorin e pavarësisë nga ish-Jugosllavia por edhe pse kanë kaluar tre dekada, në rrafshin ekonomik ende nuk ka një përparim të duhur. Arsyet për mungesë të investimeve janë të shumta, qoftë mungesë e strategjisë së duhur, qoftë shpenzime të kota për nevoja populiste dhe më kryesorja është mos pasja e vazhdueshme e një stabiliteti politik.

S’ka investime të duhura në energjetikë!

Në Maqedoninë e Veriut nuk është investuar në kapacitete të mëdha energjetike që nga pavarësia e saj. Është investuar në mullinjtë me erë për prodhimin e 36 megavateve dhe në një hidrocentral, i cili si edhe të tjerët për momentin shfrytëzohet jo me kapacitetin e plotë për shkak se akumulimi ujit është nën 50 për qind. Për të tejkaluar krizën energjetike, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se gjatë këtij dimri planifikon të harxhojë 300 milionë euro – mjete këto që janë sa gjysma e mjeteve të parapara për ndërtimin e hidrocentraleve Çebren dhe Galishte.

Ndërtimi i hidrocentraleve Çebren dhe Galishte në Lumin e Zi për më shumë se dy dekada ka mbetur pa u përfunduar për shkak të dështimit të 13 tenderëve me radhë për realizmin e këtyre dy projekteve.

Në bazë të studimeve të mëparshme, hidrocentralet Çebren dhe Galishte parashihej të prodhonin 1 mijë gigavat orë energji elektrike brenda vitit, aq sa është kapaciteti të gjitha hidrocentraleve ekzistuese në vend.

Maqedonia e Veriut ka vetëm një hidrocentral në pronësi të saj, atë të Kozjakut, i cili filloi të ndërtohet në vitin 1994 ndërsa u funksionalizua në vitin 2003.

Ndërkohë, janë ndërtuar 75 hidrocentrale më të vogla, të cilat janë në pronësi private.

Maqedonia e Veriut furnizohet me rrymë kryesisht nga termocentrali i Manastirit, i cili është ndërtuar në vitet ‘80.

Në bazë të të dhënave të Komisionit Rregullator për Energjetikë në vitin 2010 Maqedonia e Veriut ka prodhuar 6 mijë e 500 gigavat energji elektrike për orë, përderisa një dekadë më vonë në vitin 2020, prodhimi është ulur në 3 mijë e 600 gigavat në orë.

Kjo ka bërë që Maqedonia e Veriut gjithnjë e më shumë të mbetet e varur nga importi i energjisë elektrike.

Shteti pa politikë të qartë drejt investimeve kapitale

Mungesa e investimeve kapitale të duhura është arsyeja përse Maqedonia e Veriut ngec në pothuajse çdo sektor. Në qeverinë e Nikolla Gruevskit, qeveria me mbi 500 milionë euro, ndërtoi të ashtuquajturin projektin “Shkupi 2014”, i cili ishte projekt populist për kënaqjen e politikave ditore të asaj klase politike, me qëllim ndryshimin e fakteve historike dhe krijimin e një historie të antikitetit, për inat dhe si karshillëk i Greqisë. Me Shkupin 2014 u tentua që të tjetërsohet historia edhe ndaj shqiptarëve duke vendosur në sheshin e kryeqytetit përmendore carëve dhe mbretërve që kishin vrarë shqiptarët dhe duke dashur që të fshihej gjithçka çfarë ishte shqiptare.

Gruevski në vend që të investonte në ndërtimin e autostradave, ndërtimin e hekurudhave, ndërtimin e centraleve për energji, ai vendosi që më shumë se gjysmë miliardi euro t’i harxhojë për projekte pa asnjë dobi profitabile.

Kjo situatë gjithsesi se krijoi dhe herdokurdo do të krijonte krizë. Krizat do të ishin qoftë në rrafshin e shtrenjtimit të ushqimit, sepse investimet në bujqësi ishin të pakta ose të manipuluara, qoftë në energjetikë sepse mos investimet në këtë fushë na bëjnë të varur nga të tjerët, e çdo varshmëri nga të tjerët gjithmonë mund të të kushtojë shtrenjtë.
Prandaj shteti deri tani asnjëherë nuk ka bërë një strategji të qartë se ku duhet dhe si duhet të investojë. Çdo politikë është bërë aty për aty, vetëm për kënaqjen e nevojave afatshkurtra të politikës ditore dhe asnjë qeveri, qoftë ajo e kaluar, por edhe kjo e tanishmja nuk kanë ndërtuar një politikë afatgjate të investimeve kapitale.

Mungesa e stabilitetit politik i bën jo të sigurt investitorët

Maqedonia e Veriut është ballafaquar me kriza politike që nga pavarësimi. Fillimisht bllokada greke me emrin e cila zgjati për 39 vite, pastaj lufta e vitit 2001, problemi me Bullgarinë dhe ndryshimi i shpeshtë i qeverive ka bërë që ky shtet të mos shohë dritën e investimeve të mëdha, e sidomos investitorëve të huaj. Çdo investitor dëshiron që të ketë stabilitetit në vendin ku shkon të investojë, sepse kërkon që kapitali i tij të jetë i sigurt. Kjo siguri i ka munguar Maqedonisë së Veriut gjatë gjithë 30 viteve të fundit. Qeveritë kanë bërë lehtësime të ndryshme për investitorët, por këto pak kanë dhënë rezultat, për shkak edhe të korrupsionit, zgjedhjeve të shpeshta të parakohshme, mungesën e transparencës dhe administratën e stërngarkuar.

Secili investitor ende druhet se sapo të fillojnë proceset e investimit do t’i kërkojnë korrupsion. Ata që kanë investuar gjithmonë qëndrojnë me frikën se do të ndryshohen qeveritë, e me këtë do ndryshohen edhe politikat ekonomike. Kjo nënkupton subvencione, ligjin e tatimeve, ndryshimin e kuotave për import dhe eksport, ndryshimin e çmimeve të energjisë së gazit, naftës e rrymës elektrike, ndryshimin e politikave të pagave të punëtorëve etj.

Që të ketë investime më të mëdha, Maqedonia e Veriut duhet të ketë kontinuitet në politikat e saj ekonomike. Për shembull nëse tatimi deri tani është i sheshtë, nuk duhet që një tjetër qeveri të vijë e të thotë prej sot e tutje do ketë tatim porgresiv, siç po kërkon tani qeveria aktuale. Në politikën e punëtorëve, nëse paga minimale është në një vlerë të caktuar, nuk mund që brenda natës të ketë ndryshime, ose ngjashëm me subvencionet dhe politikat tjera lehtësuese.

Edhe nëse bëhen ndryshime, secila qeveri duhet të kujdeset që ato mos të jenë të dëmshme për politikat e kompanive, por t’i paralajmërojë ata në një ose dy vite më parë.

Prandaj, qeveritë fillimisht duhet të çrrënjosin korrupsionin, të kenë transaprencë të vërtetë, të bëjnë reforma në gjyqësor dhe administratë dhe në rrafshin politik të ketë stabilitet. Edhe kur të ndërrohen qeveritë, nuk guxojnë që të ndryshohen politikat kryesore ekonomike.