Editorial / Maqedonia e Veriut ende rri e “përgjumur” me digjitalizimin e shërbimeve!

Shkup, 25 shkurt – medial.mk/ – Digjitalizimi duhet të jetë i arritshëm për të gjithë, të arrijë në çdo komunë dhe në çdo qytetar. Shërbimet digjitale duhet të arrijnë edhe në vendet më të largëta, por fatkeqësisht Maqedonia e Veriut ka mbetur shumë prapa në këtë segment. Njejtë si në kohën e komunizmit, ende për një dokument më të thjeshtë duhet të pritet nëpër sportele me kolona të gjata dhe kjo gjë ende nuk u përmirësua edhe pse kaluan dy vite punë nga kjo qeveri, shkruan “medial.mk/.

Qeveria aktuale themeloi ministri të digjitalizimit me të vetmin qëllim që mos të lëshojmë “trenin e fundit në rajon” dhe të shkojmë bashkë në hapa me vendet tjera dhe botën moderne, ku shumëçka kryhet në mënyrë elektronike.

Lider europian në digjitalizim konsideorhet Estonia, ku atje thuajse gjithçkë mund të sigurosh nëpërmjet internetit me një klik të vetëm. Në rajon, avansim më të madh në digjitalizim ka bërë Shqipëria, e cila përveç portalit e-Albania, krijoi edhe ministren e parë digjitale “Diella”, me të cilën synohet të digjitalizohen proceset e prokurorimeve publike, duke shmangur në këtë formë korrupsionin.

Fatkeqësisht edhe pse Maqedonia e Veriut para disa viteve ishte lider në rajon për digjitalizim, pas ndërrimit të pushteteve, mbeti e fundit dhe tani e ka shumë të vështirë të arrijë në të njëjtin nivel me vendet për rreth.

Transformimi digjital është një proces që shumica e qytetarëve, veçanërisht ata më të rinjtë e kërkojnë dhe e mirëpresin si një prioritet që është vënë nga shteti, kryesisht për shkak të lehtësimit të aksesit në shërbime, si dhe kursimit të kohës, burimeve dhe nervave nga ndjekja e dokumenteve në sportelet administrative.

Maqedonia e Veriut ka një portal kombëtar të shërbimeve (uslugi.gov.mk) në të cilin në vitin 2025 janë regjistruar më shumë se 260 mijë përdorues krahasuar me vetëm 100 mijë në vitin 2024.

Gjatë këtij viti priten të paktën 20-30 shërbime plotësisht të digjitalizuara, me përparësi regjistrimin e një të porsalinduri dhe lëshimin e certifikatës së parë të lindjes në më pak se 48 orë nga regjistrimi, shërbime në fushat e energjisë dhe Fondit të Shëndetësisë, si dhe shërbime për kompanitë.

Një projekt tjetër i rëndësishëm që pritet të kryhet deri në fund të këtij viti është nisma "Roaming Like Home" ku qytetarët e Maqedonisë së Veriut të cilët do të udhëtojnë në BE, nuk duhet të paguajnë kosto shtesë për thirrje dhe internet, shkruan “medial.mk/”.

Një iniciativë tjetër është “WiFi4WB” e cila ofron WiFi publik falas në 64 komuna në të gjithë vendin, ku nënkupton që do të ketë akses falas në internet në hapësirat publike si sheshe, parqe, biblioteka, shkolla dhe institucione kulturore, ku qytetarët kanë më shumë nevojë për lidhje.
Edhe pse është bërë një hap minimal drejt digjitalizimit, rezultatet janë ende shumë larg pritjeve dhe nivelit në të cilin duhet të jemi. Nëse analizohen shërbimet e portalit kombëtar, edhe pse në shikim të parë të jep përshtypjen se gjithçka e ke si në “pëllëmbë të dorës”, sërish kur fillon të kërkosh dhe të kryesh një proces online, e konstaton se asgjë nuk funksionon siç duhet.

Në fakt, ky portal vetëm jep informacion për shumë procese, si për shembull cila ministri është përgjegjëse, si është procedura e kryerjes të atij veprimi, por fatkeqësisht nëpërmjet këtij portali nuk mund të mbarosh asnjë punë. Shembull konkret është aplikimi për shtesat për fëmijët, dokumente të cilat duhet të rinovohen çdo vit. Në këtë portal mund të marrësh vetëm kërkesën dhe informacionin për dokumentet e nevojshme, por sërish aplikimi duhet të bëhet fizikisht në zyrat e qendrave sociale. Njëjtë edhe kërkesa për vërtetim që personi nuk është i dënuar, duhet të merret me prezencë fizike. Prandaj çdo vit bëhet tollovi e rrëmujë nëpër zyrat e qendrave sociale, nëpër gjyqe e nëpër institucione tjera. Njëjtë nodhë me Librat amzë, me çertifikatat e ndryshme personale, të cilat kudo në botë kryhet brenda pak sekondave.

Është absurde që ende pas kaq viteve, Maqedonia e Veriut nuk arrin të ketë një sistem të ndërthurjes së të dhënave dhe të lëshimit të dokumenteve shumë elementare online. Maqedonia e Veriut duhet urgjentisht të forcojë kapacitetet e saja dhe të kapë “shansin e humbur” që të jetë në hap me kohën drejt digjitalizimit të plotë, shkruan “medial.mk/”.

Leave a Reply