Editorial: Ku duhet me ua “futë” revolen atyre që gjuajnë nëpër dasma?

Shkup, 7 gusht – Që në fillim të këtij editoriali kërkojmë falje për titullin vullgar, por me të vërtetë nuk dimë si t’a parashtrojmë ndryshe këtë pyetje. Na tregoni ju lexues, ju lutemi, nëse dini se si mund të parashtrohet ndryshe! Ngado që të sillesh, kjo është esenca e pyetjes, sado që për një nuancë ndoshta mund të parashtohet edhe në formë më të kulturuar, por gjithsesi mund të parashtrohet edhe në formë më vullgare, duke mos e parashtruar vetëm pyetjen “Ku duhet me ua “futë” revolen“, por duke edhënë edhe përgjigjen bashkë me pyetjen. Apo jo?
Në fakt, a parashtrohet bre kjo pyetje në shekullin 21? Në shekullin e Teslas, në shekullin e ChatGPT, në kohën e IPhone 14-shit e 15t-shit, në kohën e zbulimeve më të avancuara teknologjike kur njerëzimi dal ngadal po u afrohet edhe planetave tjera, shkruan Zhurnal.

Kush ka më shumë shokë “naçallnika” në polici, ai shkrep më shumë plumba në dasma!

Për fat të keq, tek shqiptarët kjo pyetje parashtrohet për çdo ditë gjatë sezoneve të dasmave dhe ahengjeve, sepse vazhdon të jetë prezente si dukuri. Sa e sa dasma janë shndërruar në mort, sa e sa gëzime janë shndërruar në tragjedi dhe ende ka persona tek ne që kulmin e krenarisë e tregojnë duke gjuajtur në dasma. O Zot!

Çka po ndodh me ne? A ta trajtojmë edhe anën tjetër të kësaj çështje? Na falni për ndonjë përjashtim të rrallë, por shikoni se kush gjuan në dasma, e veçanërisht tek ne shqiptarët në Maqedoninë e Veriut? A gjuan dikush që nuk i ka së paku dy “naçallnika” shokë, ose mos të themi “pobratima”. Është temë që duhet ta hapim. Është reaitet i hidhur, sepse secili prej nesh ndoshta kemi në familje, në fqinjësi, në krushqi njerëz të tillë, por ky është realiteti, shkruan Zhurnal. Sa më shumë shokë “naçallnika”, aq më shumë plumba shkrepin.

Cili është qëllimi? Mos duan ta kthejnë stilin e komunizmit kur një “spiun” e ka nxjerrë “alltinë”, për të nxitur të tjerët dhe për të shkuar t’i denoncojë në polici, me qëllim që policia tua falë gabimin, por nëse bëhen bashkëpunëtorë të tyre? Edhe kështu duhet ta shohim këtë çështje. Por tani në formë tjetër. U falet gjuajtja me armë por jo vetëm me kusht që të spiunojnë shqiptarët, siç ka qenë më herët, por ndoshta edhe të shesin drogë për inspektorë policorë, të cilët do ua heqin padinë ose dënimin. Shikoni pak përreth të nderuar se çka po ndodh me shoqërinë tonë. Kjo po flitet me të madhe – se ka inspektorë të policisë që kanë secili grupin e vet të dilerëve që shesin drogë për ta, e si kompensim u ofrojnë përqindje nga shitja dhe mbrojtje nga përndjekja për krimin që e bëjnë.

Prandaj, kështu shikojeni atë personin e parë që e nxjerr revolen për të gjuajtur në dasëm e aheng. Mos e shikoni si qefli, e as si patriot, por si njeri të cilin inspektorët e kanë dërguar me mision të “rekrutojë” dilerë të rinj. Pas tij do gjuajnë edhe tjerë, kuptohet duke menduar se po festojnë, e kur do i denoncojnë në polici, do të përballen me “policin e keq” që do i rrahë e do i kërcënojë dhe me “policin e mirë” që do gjejë zgjidhje, por nëse pajtohen për bashkëpunim. E si manifestohet sot bashkëpunimi? Jo vetëm duke spiunuar, por edhe duke shitur drogë për inspektorët, atë që e theksuam edhe më lart. Duhet ta trajtojmë nga të gjitha anët këtë dukuri, sepse neve si shoqëri, e mediave në veçanti, na takon që me mish e me shpirt të luftojmë dukuri të tilla negative.

Ves i keq dhe i përbashkët!

Ndoshta kjo dukuri është prezente edhe tek të tjerët, por askund në formë të gërditshme dhe të shëmtuar si tek shqiptarët, shkruan Zhurnal. Si në Shqipërië e Kosovë, dukuria e gjuajtjes në dasma e ahengje është prezente edhe tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Disa vese të mira ndoshta si kemi të përbashkëta, por këtë ves të keq e kemi të përbashkët nga Likova e Kumanova, deri në Strugë, Ohër e Manastir. Për fat të keq!

Ja sot për shembull kanë dalë të dhënat për pasoat e “qejfit” të dasmave në rajonin e Pollogut ku thuhet se dy persona janë plagosur në Pollog nga të shtënat me armë zjarri në ahengje familjare që nga nisja e këtij sezoni. Një në Çellopek të Tetovës dhe tjetri në fshatin Çegran të Gostivarit. Zëdhënësi i sektorit për punë të brendshme Tetovë zbulon se rastet janë plagosje nga plumbat qorr.

“Siç e filluam sezonin nuk kishim raste. Dy rastet e fundit, njëri në Çegran një zonjë duke qëndruar në oborrin e shtëpisë së saj pësoi lëndime nga një plumb i pa destinuar, kështu pjesëtarë të SPB Tetovë si të dyshuar të armës së zjarrit kanë arrestuar 13 persona ku janë mbajtur në stacionin policor dhe punohet në zbardhjen e rastit. Rasti dytë është në Çellopek të Tetovës ku një person duke qëndruar në qendër të fshatit është goditur në kokë nga një plumb i pa destinuar dhe për fat të mirë ka përfunduar me lëndime jo serioze”, u shpreh Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Rexhepi apelon të festohet me zemër, por jo me armë. Rikujton se edhe fishekzjarrët janë të ndaluara nëse paraprakisht nuk është marrë leje për hedhjen e tyre.


“Kemi organizuar takime me menaxherë dhe udhëheqës të objekteve e hotelerisë, siç janë organizatorët e ahengjeve familjare dhe dasmave duke i njoftuar të njëjtët për implikimet ligjore në rast se ndodhin të shtëna me armë zjarri apo organizim i fishekzjarrëve në mënyrë të paligjshme nëpër objektet e tyre hotelierike”, shtoi Rexhepi.
Të shtënat me armë janë në kundërshtim me Ligjin për prishjen rendit dhe qetësisë publike dhe gjoba për këtë lloj kundërvajtjeje sipas nenit 31 varion nga 200 deri në 500 euro. Po ashtu varësisht nga pasojat, gjuajtja mund të jetë dhe vepra penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, për të cilin është paraparë dënim me burg prej një deri në pesë vjet./Zhurnal