Editorial: Evropa e pasur me inflacion 11 për qind, Maqedonia e varfër me 46 për qind! Standardi i qytetarëve gati zero për qind!
Shkup, 13 shtator – Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi ka kërkuar nga Komisioni për Mbrojtje të Konkurrencës që të vlerësojë nëse sektorët janë marrë vesh mes vete për ngritje të çmimeve. Bytyqi thotë se kjo është joetike dhe se Qeveria do të ndërmerr masa, pasi në bursat botërore rritja e çmimeve tek produktet ushqimore është shumë më e ulët sesa te ne.
\“Nëse e shihni rritjen e çmieve për shkak të inflacionit në bursat botërore, ato janë 1/4 më të vogla se në Maqedoni, diçka po ndodh, kjo nuk mund të jetë…vendi jonë të jetë unikat, ishull i izoluar, kur është pjesë e gjithë Europës. Merreni çmimet e bursës në BE, sipas të dhënave të FAO, do të shihni indeksin e ndryshimit të çmimit në kohë të caktuar, ju them është 1/4 më pak se është këtu. Nëse ushqimi është rritur për 11 për qind në BE, në çmimet e bursës, këtu është rritur për 46 për qind, na falni por kjo nuk është etike”, tha mes tjerash Bytyqi.
Të kërkosh etikë nga tregtarët është sikur të kërkosh moral në shtëpi publike
Nuk është për t’u habitur që një ekomomist i sinqertë si Fatmir Bytyqi, kërkon etikë dhe vetëdije më të lartë në këtë kohë krize. Mirëpo si zëvendës kryeministër ai duhet të vendosë veten së paku pesë minuta në pozitën e një tregtari dhe shumë lehtë do të konstatojë se të kërkosh etikë nga tregtarët është sikur të kërkosh moral në një shtëpi publike, shkruan Zhurnal. Prandaj shteti duhet të veprojë me masa, e jo me kërkesa drejtuar tregtarëve. Masa të tilla ka paralajmëruar kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili thotë se nuk do të lejoeht që në kohë krize dikush të zmadhojë fitimet e tyre në mënyrë absolute në llogari të qytetarëve. Kovaçevski thotë se si rrjedhojë Qeveria do të propozojë masa rigoroze ndaj shitësve me pakicë.
“Vërehet rritje e çmimeve në shitjen me pakicë, rritje të fitimit në shitje me pakicë dhe sipas këtyre analizave, do të propozohen masa nga Qeveria që do të jenë rigoroze dhe nuk do të ketë pardon rreth çmimeve në shitjen me pakicë, do të thotë këso masash do të propozohen”, tha Kovaçevski.
Kovaçevski shprehet se hyrja në BE do të krijojë kushte më të mira për jetesë për të gjithë qytetarët. Ai beson se kur vendi të anëtarësohet në BE, edhe ata që kanë ikur në Evropë do të ktheheshin përsëri në vendin tonë.
“Duke marrë parasysh se pagat mesatare dhe standardi jetësor në vendet ku janë shpërngulur është rritur për 2-3 herë dhe më nuk kanë nevojë të jetojnë në Gjermani ose Francë por kthehen në një vend anëtarë të BE-së dhe ai është vendi i tyre. Ky është qëllimi ynë, qytetarët tanë të jetojnë në një shtet anëtare të BE-së, Maqedonia e Veriut dhe jo të jetojnë në ndonjë shtet të huaj në Evropën perëndimore”, pohoi Dimitar Kova¬çevski – kryeministër.
Që nga fillimi i pandemisë, kur u paraqitën shenjat e para të inflacionit galopant, autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë marë një sërë masash për të parandaluar këtë dukuri që i ka lodhur qytetarët, shkruan Zhurnal. Mirëpo tashmë është e qartë se këto masa nuk kanë dhënë sa duhet rezultate, e që në një farë mënyrë konfirmohet edhe nga zv/ministri Bytyqi.
Qasje e re apo vazhdim i avazit të vjetër
Kjo tregon se në përballjen me inflacionin nevojitet një qasje e re e institucioneve, gjë që e ka paralajmëruar ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Sipas tij, nga java e ardhshme do të ketë ngrirje të reja të çmimeve të produkteve ushqimore. Por, deri të martën sa të merret vendimi në Qeveri, do të hyjë në fuqi një vendim për ndalim të shitjes në aksione oferte (me lirime).
Ministria e Ekonomisë dorëzoi propozimin, i cili sipas këtij dikasteri, do të ndaloj mashtrimet që janë bërë në vitin e kaluar nga rrjetet e marketeve të shitjes dhe tregtarëve të cilët kanë shmangur uljen e çmimeve duke shitur në okazion. Ministri Kreshnik Bekteshi tha se paraprakisht do të takoj tregtarët që të ulin çmimet së paku 10% në mënyrë lineare për të gjithë artikujt, para se të hyjë në fuqi vendimi për ngrirje. Ai ka prezantuar shifra paksa ndryshe nga zëvendës kryeministri Bytyqi, por sidoqoftë problemi është i njëjtë, shkruan Zhurnal.
“Çmimet në bursë në nivel botëror janë rritur 23,3% kurse në vendin tonë për fat të keq 47%. Kur them për ulje të çmimeve 10% ky do të jetë minimumi, kurse vendimi të martën mund të jetë më i madh! Për shembull buka dhe gruri mund të jenë 80% në kuadër të inflacionit të gjërave ushqimore, 20% mund të jetë mishi dhe 10% fruta/perimet. Në këto të fundit u vërejtën ngritjet më të larta të çmimeve, kjo vërtetohet edhe në raportin e Entit të Statistikave. Unë jam i bindur që me këto vendime çmimet do të ulën, posaçërisht tek ato që kanë rritje enorme të çmimeve”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.
Vendimi për ndalesë të shitjes me aksione oferte do të jetë i vlefshëm deri në fund të nëntorit, i cili do ti paraprijë periudhës së ngrirjes së çmimeve në industrinë ushqimore. Çmimi referent i ngrirjes akoma nuk duhet se nga cila datë do të merret për bazë, por jo i kësaj jave të fundit. Drejtori i Inspektoratit të Tregut Goran Trajkovski tha se do të veprojnë me të gjitha kapacitetet për kontrolle në terren.
“Në periudhën nga 1 Janari deri më 31 Qershor janë bërë 16,400 kontrolle, ndërsa janë dhënë mbi 3,700 Urdhërpagesa në vlerë prej 140 milion denarë”, u shpreh Goran Trajkovski, Drejtor i Inspektoratit të tregut.
Autoritetet të enjten do të zhvillojnë takim me 8 pronarët e rrjeteve më të mëdha të marketeve në vend.
Bekteshi kërkoi interpretim të Ligjit për Mbrojtje të konsumatorëve dhe Ligjit për tregti që përveç gjobave për manipuluesit të zbatohet edhe mbyllja e plotë e bizneseve. Kjo duket si një qasje e re në luftën kundër inflacionit, mirëpo sa do të ketë sukses pritet të shohim. Funksionarët shtetëror, që bëjnë strategji për luftën kundër korrupsionit me siguri ende kanë kondicion për të përballur rritjen e çmimeve, qoftë 11, 23 ose 46 për qind. Mirëpo gjatë vendimmarrjes dhe miratimit të masave të reja duhet ta kenë parasysh se standardi i qytetarëve ka rënë gati në 0 për qind. /Zhurnal

