Edison Pula arratiset nga burgu i Italisë

Një 27-vjeçar shqiptar është arratisur nga burgu i Santa Bona në Treviso të Italisë. I arratisuri është Edison Pula, i arrestuar në Shkurtin e vitit të kaluar si pjesë e një bande grabitësish.

27-vjeçari Pula mundi të kalonte hekurat e burgut në orën 05:00 të mëngjesit të sotëm. Ai u ndihmua nga dy shqiptarë të tjerë, të cilët nuk arritën të largoheshin por u kapën nga rojet e burgut. Tre shqiptarët sharruan hekurat e qelisë dhe zbritën me çarçafë.

Pasi kapërceu muret, Edison Pulën e priste një makinë jo shumë larg burgut. Prej andej u arratis dhe aktualisht është i shpallur në kërkim nga policia italiane.

Përveç akuzave të grabitjes, Edison Pula akuzohet edhe për vrasje të mbetura në tentativë, posedim i lëndëve plasëse dhe trafik droge, vepra që i ka kryer jo në Itali.

Edison Pula është personazh i njohur edhe në Shqipëri. Në vitin 2016, ai ishte arratisur edhe nga Komisariati i Krujës duke kapërcyer murin rrethues. Ai ishte arrestuar si pjesë e bandës së Niklës me aktivitet kriminal në fushën e krimeve kundër personit, pronës dhe prodhimit e shitjes së trafikimit të lëndëve narkotike.