“Dy ministra të mi u kthyen”: Bislimi e konsideron ikjen e të rinjve normale, Kurti premtonte përpjekje për t’i kthyer

Para pak muajsh derisa fliste për një prej mediumeve të njohura ndërkombëtare, kryeministri Albin Kurti ishte lavdëruar duke thënë se dy ministra të tij u kthyen në Kosovë, pra për të punuar si ministra. Ndërkohë në këtë paraqitje të tij ai premtonte përpjekje për t’i sjellë të diplomuarit sërish në vend. Diçka të kundërt deklaroi sot zëvendësi i tij, Besnik Bislimi. Çka thanë dy më të rëndësishmit e Qeverisë?

Ikja e të rinjve po vazhdon, kjo pasi vetëm në vitin 2021 rreth 41 mijë qytetarë u larguan në Kosovë.

Një numër i madh i personave që lëshuan vendin janë të rinj, si dhe profesionistë shëndetësorë. Këtë çështje, nuk e konsideroi shumë problem numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi.

Çka deklaroi ai?

Në një paraqitje para Komisionit parlamentar për Integrime Evropian, zëvendëskryeministri do të bënte një deklaratë që do të shkaktonte shumë reagime e do të komentohej shumë.

Krejt ky fenomen, pra ikja e qytetarëve nga vendi, po i duket krejt normale.

“Në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor ose në Evropën Lindore ka pasur në vazhdimësi tendenca për migrim. Diku gjysmë milioni mjekë që operojnë në Bashkimin Europian nuk janë të lidhur me Bashkimin Europian. Do të thotë, migrimi është diçka normale, është pjesë e tendencave të individit dhe familjeve për të përmirësuar standardet e jetesës,” – u shpreh zv. kryeministri i Kosovës para Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane.

Çka deklaronte Kurti?

Në një intervistë të dhënë pikërisht për 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Kurti në mediumin “Le DFigaro” ishte pyetur edhe rreth ikjes së qytetarëve.

Por vendi sheh mijëra të rinj që largohen për çdo vit?” – e kishte pyetur gazetarja.

Përgjigja e Kurtit, ishte qesharake dhe përfshinte edhe ministra të tij që janë kthyer për të jetuar në Kosovë, dhe që duhet të theksohet, tani mbajnë pozita të ministrave.

“Disa largohen, por disa kthehen. Dy prej ministrave të mi janë kthyer nga jashtë. Dhe unë përpiqem t’i sjellë të diplomuarit në institucione të vendit me shkollime nga vende perëndimore. Një e treat e kosovarëve nuk jetojnë brenda vendit, kontributi financiar i diasporët përfaqëson 20 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.” – ka thënë ai.

Ndërkohë, dy ministra të Qeverisë Kurti që janë kthyer për të jetuar në Kosovë, janë Armend Mehaj, ministër i Mbrojtjes dhe Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme.

Me këtë rast, vlen të theksohet se ky i pari, që u kthye për të punuar në Kosovë, këtë vit ka deklaruar një pasuri mjaft të madhe në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Ai ka treguar se i ka tri shtëpi, të cilat së bashku kapin vlerën e 720 mijë eurove. Po ashtu, i ka edhe dy banesa që të dyjat bashkë, bëjnë 87 mijë euro. Mehaj nga puna e tij si ministër ka të hyra vjetore prej 15 mijë euro, ndërkaq bashkëshortja e tij, ka pagë vjetore prej 336 mijë euro.

Ministrja Gërvalla në anën tjetër, në pronësi të saj ka deklaruar një truall, një pyll, një arë dhe një shtëpi, që së bashku kapin vlerën 125 mijë euro.