Duhet veprim i Gjykatës Kushtetuese në mbrojtjen e mjedisit jetësor

Shkup, 29 mars – Në fazën përfundimtare është formimi i grupeve operative për ndjekjen e krimeve që ndodhin në mjedisin jetësor, ndërsa është hartuar edhe programi për punën e këtyre grupeve operative, si dhe plani i veprimit, informoi Nikolla Jovanovski, menaxher programi në Qendrën për hulumtime dhe analiza juridike në konferencën e sotme onllajn “Gjykatat Kushtetuese – Rojtarë të mjedisit jetësor”.

Në kuadër të grupit punues për ndryshime në Kodin Penal, Jovanovski kumtoi se së bashku me palët tjera të interesit janë propozuar 20 ndryshime të reja të dispozitave të Kodit Penal dhe katër dispozita të reja që në një farë mënyre janë marrë nga ato legjislacione në rajon dhe janë në raport me legjislacionin e Maqedonisë.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska, në fjalimin e saj theksoi se Gjykata Kushtetuese ka dy role. I pari është interpretues i normave kushtetuese, nëpërmjet të cilit përcaktohet përmbajtja e tyre. Roli i dytë është ai i zbatimit konkret të normave kushtetuese në ushtrimin e kompetencave të gjykatës, veçanërisht në pjesën e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave kushtetuese në të dyja format e saj.

Ajo shtoi se obligim kushtetues i shtetit është që të sigurojë kushte për realizimin e të drejtës së qytetarëve për mjedis të shëndetshëm dhe kompetencën e njësive të vetëqeverisjes lokale, komunave dhe qytetit të Shkupit në fushën e mbrojtjes së mjedisit jetësor si çështje me rëndësi lokale.

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, theksoi se Ministria ka propozim-ligj për inspektimin në fushën e mjedisit jetësor dhe janë duke u zhvilluar konsultime publike për masat dhe procedurat për dhënien e lejeve për ujë dhe përmirësimin e resurseve ujore.

Ministri Naser Nuredini sot me një fjalim hyrës së bashku me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjyqtaren Kacarska dhe ambasadoren e Britanisë Rachel Galloway, morën pjesë në hapjen e konferencës rajonale: Gjykatat Kushtetuese – ruajtësit e mjedisit jetësor. Në diskutimin e moderuar nga akademiku Kambovski, profesorë dhe gjyqtarë nga rajoni rishqyrtuan mundësitë për rritjen e rolit të Gjykatës Kushtetuese në mbrojtjen e të drejtave të mjedisit jetësor.

“Gjykatat Kushtetuese duhet të demonstrojnë aftësinë e tyre për të punuar dhe vepruar në fushën e mjedisit, në mënyrë që të jenë në gjendje të riparojnë çdo dëm të shkaktuar në mjedis. Është gjithashtu e vështirë të gjesh orientimin e duhur, veçanërisht kur dëmi është i pakthyeshëm, tha Nuredini.

Ai shtoi se ndikim të madh kanë edhe ndryshimet klimatike, në të cilat duhet përfshihet qasja në informata dhe drejtësi.

“Në vend këto të drejta i kemi siguruar brenda legjislacionit tonë, sidomos në periudhën e fundit kur e harmonizojmë legjislacionin tonë me standardet e BE-së. Në ligjin tonë të përgjithshëm për ruajtjen e natyrës, ne i mbulojmë të gjitha çështjet relevante dhe na mundësojmë mekanizëm funksional për ushtrimin e këtyre aktiviteteve dhe të drejtave”, përfundoi ministri.

Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Maqedoninë e Veriut, Rejçel Gallovej, theksoi se është e qartë se të drejtat socio-ekonomike dhe mjedisore mund të ndryshojnë mënyrën se si shoqëritë përballen me ndryshimet klimatike, por duhet të ndryshojmë edhe mënyrën se si sillemi si komb.

Ajo kujtoi edhe aktivitetet e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për pastrimin e deponive, të cilat janë inkurajuar nga Brukseli. Sa i përket detyrës rregullatore që filloi në vitin 2020, e cila vendosi ligje ekologjike, duke lejuar vendosjen e synimeve për një mjedis të pastër jetësor.

Pas fjalimeve hyrëse, konferenca vazhdoi me diskutimin dhe shkëmbimin e përvojave nga gjykatat e rajonit, përkatësisht nga përvojat e Gjykatave Kushtetuese në mbrojtjen e mjedisit jetësor në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Bullgari dhe Slloveni.

Projekti synon të tërheqë interesin e të gjitha palëve relevante të interesit dhe të shtrojë pyetjen nëse iniciativat personale të Gjykatave Kushtetuese për mbrojtjen e mjedisit jetësor do të nënkuptonin ndërhyrje në punën e gjyqësorit.