“Duam jetë të natës në Shkup” anuloi protestën pas takimit me Spasovski
Shkup, 25 korrik – Pas takimit të sotëm të përfaqësuesve nga Nisma “Duam jetë të natës në Shkup” me ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, është anuluar protesta e paralajmëruar për të mërkurën para Qeverisë.
“Kërkesat tona hasën në dëgjim tek institucionet kompetente. Ministri Oliver Spasovski personalisht u angazhua për zgjidhje të shpejtë të problemit dhe shpëtim të jetës së natës për të rinjtë shkupjanë. Si shkak i hapjes së tyre për zgjidhje të këtij problemi, protesta anulohet”, theksuan nga Nisma “Duam jetë të natës në Shkup” në “Fejsbuk”.
Nga MPB për MIA-n informuan se në takim është biseduar për kërkesën e Nismës për dhënie të licencave për punë për klubet e natës në Shkup, për çka ministri Spasovski tha se nga ana e MPB-së do të bëhet gjithçka që është në kuadër të kompetencave të tyre.
Nisma “Duam jetë të natës në Shkup” reagoi se klubet verore të natës ende nuk kanë marrë licenca për punë për ç’shkak paralajmëruan protestë para Qeverisë.

