Dorëzohen kallëzime penale ndaj nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë, Bozhidar Deliq

Shoqata për Krimet e Luftës “Gjakova 98-99” ka dorëzuar tri kallëzime penale në Prokurorinë Speciale kundër nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë dhe ish-komandantit të Brigadës 549 të motorizuar, Bozhidar Deliq.Përfaqësuesi i kësaj organizate dhe studiuesi i krimeve, Gjok Sokoli tha se kanë sjellur dokumente të cilat vërtetojnë se Deliq dhe ushtria e tij kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë.“Janë 3 kallëzime penale, bashkëngjitur me disa dokumentacione faktike, një lloj ditari të operimit të Brigadës 529 të Motorizuar nën komandën e Bozhidar Deliqit” – tha veterania e UÇK-së, Shkëndije Hoda.Sokoli tregoi se ka shumë qytetarë vullnetarë që tregojnë se e njohin atë dhe e dinë se ai ka marrë pjesë në Masakrën e Mejës, në Masakrën e Krushës, qytetit të Gjakovës dhe atë të Koronicës. E ndër ta edhe një invalid i plagosur 6 herë nga Ushtria Serbe.“Me qindra dëshmi janë. Dëshmi ka të mjaftueshme dhe kam besim se ky person ka me ra në dorë të Hagës” – tha ai.


Ndërkohë, e quajti turp zgjedhjen e tij si nënkryetar të Kuvendit të Serbisë dhe tha se Ministria e Drejtësisë duhet t’i apelojë Evropës dhe SHBA-së se kryetari i Serbisë e ka marrë pranë tij një “kriminel, pasi që edhe ai i ka duart me gjak”.“Unë e kam librin me 400 viktima të luftës që janë vra për 2 orë në Masakrën e Mejës, me foto…” – tregoi Sokoli duke thënë se këto dëshmi duhet të merren me vete në Bruksel.Ndër të tjera Sokoli theksoi edhe nevojën e Kosovës për të pasur një Institut të Krimeve të Luftës dhe tha se Gjakova ka punuar më së shumti lidhur me krimet e luftës në krahasim me komunat e tjera.Më 2 gusht, Bozhidar Deliq nga koalicioni NADA u zgjodh nënkryetar i Kuvendit të Serbisë.Për zgjedhjen e tij kishte reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.