“Do ketë përplasje”/ Flamur Noka paralajmëron zhvillime të reja

Deputeti demokrat Flamur Noka u shpreh mbrëmjen e djeshme se nuk ka gjykatë që mund të refuzojë Kuvendin e 11 dhjetorit të 2021.

Noka tha se Kuvendi i 11 dhjetorit është më i miri i organizuar në të gjithë historinë e pluralizmit shqiptar.

“Nuk ka gjykatë që njeh ligjin, që bazohet te ligji, dhe që jep vendimin në emër të ligjit dhe që mund të refuzojë Kuvendin e datës 11 dhjetor. Është Kuvendi më i mirë i organizuar në historinë e pluralizmit shqiptar apo në historinë e të gjithë partive në këtë vend. Është i dokumentuar çdo demokrat”.

Sipas Nokës vendimi i Gjykatës për të marrë në shqyrtim ankimimin e Alibeajt, ishte i turpshëm.

Flamur Noka: Gjykata e Tiranës, mori një vendim politik për të shqyrtuar dhe për të konsideruar palë dikë që nuk ishte palë, për të njohur si kryetar një njeri që e kishte emëruar Gaz Bardhi, dhe që nuk e kishte zgjedhur asnjë organi I PD-së. Ky është vendimi më i turpshëm që ka marrë drejtësia në këtë vend në 32 vjet pas përmbysjes së regjimit.