Dita për mysafirë të lartë në stërvitjen “Seven stars 2022”

Shkup, 6 tetor – Në poligonin e armatës “Krivollak”, sot do të realizohet Dita për mysafirë të lartë në stërvitjen “Seven stars 2022” në organizim të Brigadës së Evropës Juglindore, ku do të prezantohet stërvitja në teren në të cilën do të demonstrohen aktivitete të nivelit taktik nga ana e njësitit nga përbërja e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si vend nikoqir.

Siç paralajmëruan nga ARM, në ditën për mysafirë të lartë do të marrin pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes, Bashkim Hasani, kryesuesi i iniciativës SEDM, udhëheqësia ushtarake e Shtatmadhorisë dhe gjeneralë të Armatës së Republikës së Maqedonisë, përfaqësues të Ministrive të Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të vendeve anëtare të Brigadës së Evropës Juglindore, atashe ushtarakë dhe mysafirë të tjerë.

Komanda e Brigadës së Evropës Juglindore, e cila është e stacionuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut është organizator i stërvitjes “Seven stars 2022″ e cila realizohet në Qendrën e Simulimit në përbërjen e Komandës për Trajnim dhe Doktrina në kazermën “Alekso Demnievski Bauman” në Veles, në kazermën “Boro Menkov” në Kumanovë dhe poligonin e armatës “Krivollak”.

“Në stërvitje marrin pjesë më shumë se 200 pjesëtarë civilë dhe të ushtrisë të vendeve anëtare të Brigadës së Evropës Juglindore, të cilët përmes stërvitjeve të simuluara kompjuterike dhe stërvitjeve në hartë duke i shfrytëzuar procedurat e NATO-s gjatë komandimit dhe kontrollit e përmirësojnë ndërveprueshmërinë e ndërsjellë gjatë pjesëmarrjes në operacione për mbështetje të paqes, asistencave humanitare dhe operacione për përgjigje gjatë katastrofave”, bën të ditur nga ARM.