Dita e të Pagjeturve të Kosovës, ende nuk dihet fati i 1,600 personave të zhdukur me dhunë nga Serbia gjatë luftës së fundit

Më 27 prill në Kosovë shënohet Dita e të Pagjeturve, ndërkaq ende nuk dihet fati i më shumë se 1,600 personave të zhdukur me dhunë nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

Po ashtu, sot shënohet përvjetori i 23-të i masakrës në Mejë të Gjakovës, ku më 27 prill 1999 u vranë 376 persona.

Në nderim të tyre, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur do të vendosë kurora lulesh para përmendores së personave të pagjetur.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, do të bëjë homazhe pranë Obeliskut të të pagjeturve dhe më pas në Mejë të Gjakovës.

Ndryshe, ende nuk dihet fati i më shumë se 1600 personave të zhdukur me dhunë nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

Përkundër kërkesave të familjarëve dhe organizatave të ndryshme në Kosovë që trupat e tyre të kthehen nga Serbia, kjo gjë është zvarritur nga shteti serb dhe ende nuk është bërë.