Dita e Pavarësisë së Ukrainës është festuar në sheshin “Maqedonia” në Shkup
Shkup, 24 gusht – Njëkohësisht në 50 vende të botës, përfshirë Maqedoninë e Veriut, sot u këndua himni kombëtar i Ukrainës në përkujtim të 24 gushtit – Ditës së Pavarësisë së Ukrainës. Nëpërmjet formimit të një zinxhiri drejtëpërdrejt, u vendos një rekord botëror për interpretimin e Himnit Kombëtar të Ukrainës, në kuadër të iniciativës globale “The free world gathering”.
Shënimin në sheshin “Maqedonia” në Shkup e organizuan Ambasada e Ukrainës në vend dhe Shoqata e Ukrainasve “Lesja Ukrainka”.
Ambasadorët e Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Holandës dhe Suedisë në Maqedoninë e Veriut gjithashtu dhanë mbështetje për Ukrainën në festë.
Ruman Buga, sekretar i parë në Ambasadën e Ukrainës në Maqedoninë e Veriut, tha se lufta në Ukrainë ka ndryshuar gjithçka, si për vendin ashtu edhe për Evropën dhe botën.
“Le të kujtojmë rrugën që morëm ne ukrainasit dhe sa arritëm të ndryshonim. Ukrainasit dëshmuan se janë të pathyeshëm. Falënderojmë të gjithë ata që treguan forcën e tyre në këtë kohë, të gjithë ata që luftuan dhe po luftojnë për Ukrainën dhe ndihmuan ushtarët tanë. Falënderoj gjithashtu të gjithë miqtë tanë në mbarë botën për ndihmën dhe mbështetjen për Ukrainën, shtoi ai.
Oleksandar Urbanoviq nga Shoqata “Lesja Ukrainka” falënderoi Maqedoninë e Veriut për ndihmën, duke e përshkruar atë si “një vend i vogël me zemër luani”.
“Keni dhënë edhe më shumë se sa mundët dhe nuk do ta harrojmë kurrë. 24 gushti është festa më e rëndësishme për ukrainasit, sepse pavarësia është pikërisht ajo për të cilën po lufton Ukraina sot, tha Urbanoviq.
Në fjalimin e sotëm të Ditës së Pavarësisë, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski premtoi se vendi i tij do të luftojë pushtimin rus “deri në fund” dhe nuk do të bëjë “asnjë lëshim apo kompromis”.
Pushtimi rus i Ukrainës filloi gjashtë muaj më parë, ndërsa këtë mëngjes shpërthyen shpërthime në Harkov, në pjesën verilindore të Ukrainës, si dhe në qytetet qendrore të Zaporozhye dhe Dnipro, thanë autoritetet lokale.
Ukraina shpalli pavarësinë e saj nga BRSS më 24 gusht 1991 dhe pavarësia e saj u finalizua më 25 dhjetor të po këtij viti. Gjuha zyrtare në vend është ukrainishtja dhe feja mbizotëruese është ortodoksia.

