Dita e dytë e takimit të drejtorëve politikë të NATO-s në Shkup

Shkup, 29 prill – Në Shkup vazhdon takimi joformal i drejtorëve për çështje politike-të sigurisë të ministrive të punëve të jashtme të NATO-s të vendeve anëtare të NATO-s.

Me takimin kryeson ndihmësja e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për çështje politike dhe të sigurisë Betina Kadenbah. Në takim, gjithashtu do të marrin pjesë edhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian.

Në sesionin e parë punues, kushtuar Ballkanit Perëndimor dje fjalim mbajti ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, i cili tha se mungesa e një perspektive kredibile evropiane dhe euroatlantike në Ballkanin Perëndimor mund të ketë një sërë pasojash negative, veçanërisht në aspektin e stabilitetit rajonal.

“Prandaj, përshpejtimi i proceseve integruese evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe qasja e konsoliduar e NATO-s dhe BE-së në rajon është mjeti më i mirë për tejkalimin e sfidave të sigurisë dhe ruajtjen e proceseve demokratike në rajonin tonë”, theksoi Osmani i cili e hapi takimin.

Në kontekst të situatës aktuale të sigurisë, ministri Osmani theksoi sfidat me të cilat ballafaqohet zona euroatlantike dhe mënyrën e reflektimit të tyre në Konceptin e ri Strategjik të NATO-s, i cili pritet të miratohet në Samitin e ardhshëm të NATO-s në Madrid.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas anëtarësimit të vendit në NATO për herë të parë është nikoqire e një ngjarje të këtillë, ku marrin pjesë mysafirë të lartë nga të gjitha vendet – aleate, kumtoi MPJ-ja.

Ministria shton se mbajtja e takimit në Shkup është një tjetër dëshmi e rëndësisë së Ballkanit Perëndimor, si rajon strategjik për NATO-n, por edhe i kredibilitetit të Maqedonisë së Veriut si anëtare e Aleancës.