Dimovski: Të përmbushet obligimi ligjor për harmonizimin e të gjitha pagave me minimalen

Shkup, 27 shtator – Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) pret që të thirret në seancën e parë pasi më 1 shtator ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Themelore Civile me kërkesë për inicimin e procedurës kundër Qeverisë për mosrespektim të ligjit për pagën minimale i cili parasheh harmonizimin e pagave të të gjithë punonjësve të tjerë në sektorin publik ku punëdhënës është shteti.

Kryetari i LSM-së, Darko Dimovski sot në një konferencë për shtyp tha se në gjykatë do t’i paraqesin dëshmitë e tyre se punëtorët dëmtohen duke mos u rritur pagat për 18,4 për qind në përputhje me Ligjin për pagë minimale.

Në përfundim të afatit ligjor prej gjashtë muajsh për harmonizimin e të gjitha pagave me rritjen e minimales, e cila në mars u rrit në 18.000 denarë, Dimovski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve tha se rritje të pagave kanë arritur me nënshkrimin e kontratave kolektive në ndërmarrjet komunale publike në disa komuna, por dështuan, tha ai, në institucionet që janë nën ombrellën e shtetit dhe qeverisë.

Ai tha se nuk janë informuar për metodologjinë e re që është përmendur në muajt e kaluar dhe po ashtu beson se metodologjia tashmë ekziston në Ligjin për pagën minimale. LSM nuk ka pasur takime me përfaqësues të Qeverisë që nga 1 maji, kur biseduan me zëvendëskryeministrin Fatmir Bytyqi dhe ministren Jovanka Trençevska për rritje lineare të pagave solidare prej 2.806 denarë.

“Në atë kohë nuk ishte përmendur ndonjë metodologji për nga gushti, që kur u zhduk edhe dialogu social dhe meqë nuk ka më takime, të ketë arsyetim që të bëhet metodologji. Metodologjia është e shkruar qartë në ligjin për pagën minimale dhe do të përsëris edhe një herë se me rritjen e pagës minimale, pjesa tjetër e pagave duhet të rregullohet ashtu siç është rritur. Ne kemi një zgjidhje ligjore, kemi një metodologji, le ta zbatojnë dhe nëse mendojnë se nuk zbatohet, jemi të hapur të diskutojmë një metodologji të re. Askush deri më tani nuk na ka thirrur për të bërë një metodologji të re dhe as nuk jemi konsultuar nëse bëhet një metodologji, e cila është e famshme për ne dhe për të cilën flitet që nga vera”, tha kryetari i LSM.

Ai shtoi se LSM është ende në grevë në sektorin publik dhe është në grevë kudo që nuk ka rritje në bazë të Marrëveshjes Kolektive dhe Ligjit. E vetmja zgjidhje për punëtorin, tha Dimovski, është të vetëdijesohet dhe të kërkojë atë që i takon me ligj dhe me kontratë kolektive.