Dikur atraksion i vërtetë, sot Kalaja e Tetovës po shembet çdo ditë e më shumë

Tetovë, 10 Shtator – Këto pamje në Kalanë e Tetovës janë të sotme, atje prej vite ka filluar shembja e gurëve të portës kryesore e cila është shndërruar në gërmadhë dhe përbën rrezik edhe për kalimtarët.

Disa herë janë dhënë premtime për rregullimin e saj, por deri më tani institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret ndërsa gjendja në të cilën ndodhet ka bërë që të largohen edhe vizitorët për shkak të rreziqet që bartë për jetën e tyre.

“Shkaku i rrezikut që paraqitet nga shembja e gurëve për jetën e njerëzve, në Kala, dukshëm është reduktuar edhe numri i vizitorëve i cili nuk është më si më parë”.

Procesi i restaurimit të Kalasë së Tetovës ka filluar që në vitin 2008 dhe nuk mbaroi asnjëherë e madje as nuk është prekur ndonjë investim.

Muri që shembet për çdo ditë asnjëherë nuk ka qenë prioritet për drejtuesit e institucioneve.

Kalaja e Tetovës më parë frekuentohej nga mijëra vizitorë, përfshirë edhe të huaj, por rikthimi i tyre do të jetë një proces i vështirë për shkak imazhit të keq që kanë krijuar pamjet e viteve të fundit.