Digjitalizim dhe kuadër me shkathtësi të reja për aftësi konkurruese të sektorit të ndërtimtarisë
Shkup, 3 prill – Mungesa e shkathtësive po bëhet një nga pengesat më të mëdha për zhvillim, e kjo po reflektohet edhe në punën në sektorin tradicional të ndërtimtarisë. Kompanitë ndërtimore do të duhet t’i aplikojnë zgjidhjet bashkëkohore dhe novatore teknologjike si parakusht për ngritjen e aftësisë konkurruese, produktivitetit dhe efikasitetit të punës. Përdorimi i pamjaftueshëm i veglave dhe standardeve të reja, sipas ekspertëve, do t’i kufizojë të punojnë vetëm në tregun vendor.
Sipas Kristinka Radevski, kryetare e Odës së arkitektëve dhe inxhinierëve të autorizuar, aplikimi i zgjidhjeve të reja teknologjike është imperativ për përmirësimin e gjendjes në sektorin të ndërtimtarisë, e kjo është veçanërisht e rëndësishme në realizimin e projekteve infrastrukturore dhe të mëdha me interes shtetëror.
Fillimet e digjitalizimit në këtë fushë në vendin tonë datojnë nga para do kohë, edhe atë së pari në procedurat elementare që kanë të bëjnë me përgatitjen dhe aprovimin e dokumentacionit të projektit. Duke filluar nga viti 2013, i gjithë dokumentacioni i projektit i domosdoshëm për marrjen e lejeve për ndërtim, dorëzohet në mënyrë elektronike dhe nënshkruhet në mënyrë elektronike me nënshkrim digjital/certifikatë digjitale, që është bërë i detyrueshëm për të gjithë anëtarët e Odës.
Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), të gjitha komunat, subjektet tjera relevante dhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve janë të lidhura në një sistem të përbashkët informatik “e-leje për ndërtim”, përmes të cilit udhëhiqet dhe ndiqet e gjithë procedura. Oda mori pjesë aktive në këtë ndryshim të madh në vitin 2013 dhe luajti rol kyç në procesin e trajnimit të anëtarëve të saj (arkitektë/inxhinierë) për të përdorur sistemin e ri dhe nënshkrimet digjitale dhe siguroi zbritje të konsiderueshme për anëtarët e saj për të marrë nënshkrim/certifikatë digjitale nga lëshuesit e autorizuar.
Pa zgjidhje të reja teknologjike, kompanitë ndërtimore do të punojnë vetëm në projekte lokale
“Sektori i ndërtimtarisë është një nga sektorët që ka produktivitetin më të ulët në raport me sektorët tjerë. Për këtë arsye digjitalizimi do të luajë një rol kyç në rritjen e aftësisë konkurruese. Ajo që Oda në kuadër të kompetencave të saj ndërmerr, përveç pjesës informative, është edhe pjesa edukative, duke organizuar trajnime për anëtarët e saj, veçanërisht për të ndjekur trendet moderne për zbatimin e veglave digjitale që i përdorë bota në fushën e ndërtimtarisë”, shprehet Radevski.
Në mesin e këtyre veglave është Modelimi informatik i ndërtimeve BIM, e në disa pjesë të BE-së nuk mund të marrësh pjesë në tender nëse projektet dhe realizimi nuk janë përgatitur në përputhje me standardet që i kërkon metodologjia. Edhe pse BIM-i filloi që në vitin 1984, ai ka zënë vend më serioz në sektorin e ndërtimtarisë në botë nga viti 2008. Trajnimet për përdorimin e mjeteve BIM në nivel arkitekti dhe inxhinieri në shtet bëhen tashmë disa vitesnga qendra të certifikuara komerciale.
“Megjithatë, ende rrallë ndonjë kompani sot trajnohet për të implementuar metodologjinë BIM në nivel të kompanisë. Direktiva 2014/24/BE paraqet rekomandim drejtuar të gjitha vendeve anëtare të përdorin vegla speciale elektronike si BIM në kontratat për projektim, realizim, e tashmë edhe për mirëmbajtjen e objekteve dhe punëve publike. Sot në disa vende të BE-së nuk mund të merrni pjesë në tender nëse projektet dhe realizimi nuk janë përgatitur në përputhje me standardet BIM. Nëse kompanitë tona në maksimum pesë vitet e ardhshme nuk fillojnë me trajnime në BIM, të njëjtat do të kufizohen vetëm në tregun maqedonas dhe nuk do të kenë mundësinë për të apliuar jashtë vendit”, konsideron Radevski.
Viteve të fundit, Oda ka organizuar më shumë se dhjetë trajnime për teknologjitë BIM me ligjërues nga vendi dhe jashtë vendit. Në këtë drejtim vazhdojnë aktivitetet me dinamikë të intensifikuar dhe trajnimi i radhës i planifikuar është në maj të këtij viti. Oda bashkëpunon rregullisht me kompanitë që kanë licenca softuerike për veglat BIM dhe siguron zbritje për anëtarët e saj për blerjen e licencave. Gjithashtu, informon Radevski, Oda në vitin 2021 ka nominuar përfaqësuesin e saj në Komitetin Teknik TK45 për modelim BIM, në kuadër të ISRMV-së. Nga ai komitet teknik në ISRMV duhet të rezultojë rregullativa për standardizimin e proceseve për modelimin informatik të ndërtimeve (BIM).
Oda konsideron se zbatimi i zgjidhjeve të reja teknologjike është imperativ për përmirësimin e gjendjes në sektorin e ndërtimtarisë dhe thekson se kjo është veçanërisht e rëndësishme gjatë realizimit të infrastrukturës dhe projekteve të mëdha me interes shtetëror. Kusht për vendosjen e kornizës ligjore do të ishte vendosja e një mandati BIM në rregullativën ligjore.
Nga këtu, thotë Radevski, inkurajimi i përdorimit të BIM-it mund të fillojë para së gjithash nëse ai përfshihet në prokurimin publik, por fillimisht jo si obligim por si mundësi për valorizim plotësues gjatë vlerësimit të ofertave. Në këtë mënyrë, ndërmarrjet nuk do të kufizohen, por të njëjtat do të nxiten që t’i fillojnë t’i përpilojnë projektet e tyre në BIM. Por duhet të jemi të kujdesshëm nga aspekti i zbatimit të zgjidhjeve të shpejta ligjore meqë çmimet e licencave të softuerit janë shumë të larta, ndërsa dituria e këtyre veglave komplekse softuerike BIM është në nivel mjaft të ulët. Implementim progresiv, në baza të shëndoshë, me qasje serioze strategjike është baza për transformim të suksesshëm, më të shpejtë dhe efikas digjital
Sektorit të ndërtimtarisë i nevojitet kuadër me shkathtësi të reja
Në sektorin e ndërtimtarisë do të ketë së shpejti nevojë për njerëz me shkathtësi të reja, do të gjenerohen edhe profesione të reja, të cilat me kalimin në teknologjitë digjitale do të paraqesë mundësi për rikualifikimin e kuadrit ekzistues.
“Meqë këto janë procese për të cilat nevojitet kohë, konsiderojmë se transformimi digjital nuk duhet të paraqesë rrezik për mbijetesën e vendeve të punës në sektorin e inxhinierisë. Kërcimi më i madh u bë në vitin 2013 me digjitalizimin e dokumentacionit të përgjithshëm të projektit dhe përdorimin e nënshkrimeve digjitale, që ishte ndryshim vërtet i madh meqë atëherë u përjashtua procesi i letrës. Madje edhe ky ndryshim, me gjithë vëllimin dhe kompleksitetin e tij, nuk krijoi atmosferë për humbjen e vendeve të punës, por u shfrytëzua për arsimim plotësuese dhe avancim në punë. Prandaj, është i domosdoshëm procesi i edukimit të vazhdueshëm dhe sendërtimit të shkathtësive, e të gjithë ata që do të refuzojnë ta bëjnë këtë, do të hyjnë në grupin e rrezikut që tregu i punës do ta njohë gjithnjë e më pak”, bën të ditur Radevski
Sipas ekspertit teknik për Maqedoninë dhe Kosovën të Programit për financimin e efikasitetit energjetik – GEFF Igor Pançevski, kompanitë tona do të mund të punojnë, siç shprehet ai, vetëm në projektimin e shtëpive lokale nëse nuk bëjnë transferim në teknologjinë BIM për pesë vjet.
Shumë sektorë në botë, thekson ai, kanë shfrytëzuar digjitalizimin dhe janë transformuar, duke filluar nga prodhimi, bujqësia, transporti… dhe produktiviteti i atyre sektorëve po rritet, ndërsa vetëm ndërtimtaria si sektor tradicional nuk ka bërë transformimin. Edhe në Maqedoni është tërësisht njëjtë, madje jemi edhe më mbrapa me disa gjëra.
Gabimet dhe mospërputhjet mund të minimizohen në projektet e mëdha infrastrukturore
Sipas Pançevskit, kompanitë tona janë “duke uzgjuar” në këtë drejtim, veçanërisht ato ku menaxhmenti është më fleksibël dhe bëjnë ristrukturim meqë kanë parë përvoja të tilla dhe duan të gjejnë tregje të reja. BIM, bën të ditur ai, është teknologji që nuk varet nga lokaliteti dhe kompania e trajnuar që të mund të ofrojë shërbime kudo në botë në fushën e projektimit. Tashmë kemi disa kompanitë tona që i kanë dalluar përfitimet me kohë dhe po punojnë në projekte në mbarë botën.
Zbatimi i kësaj teknologjie ka ndikimin më të madh, bën të ditur Pançevski, në projektet e mëdha infrastrukturore, rrugë, hekurudha, objekte të mëdha për ndërtim, shuma me vlerë shumëmilionëshe. Kjo është ashtu meqë me BIM-in që në vetë projektimin dhe që në fillimin janë përfshirë të gjitha profesionet dhe numri i gabimeve apo mundësia e paraqitjes së gabimeve dhe mospërputhjeve është minimizuar. Zvarritja e realizimit të këtyre objekteve është thuajse e pamundshme, përveçse në rast të fatkeqësisë për shkak të motit. Kur hartoni projektin infrastrukturor ndoshta do t’ju duhet dy, tre, katër herë më shumë kohë për të menaxhuar dhe për t’i bërë të gjitha mirë meqë keni shumë anë. Por, kur tashmë do ta bëni atë, realizimin e gjithë projektit infrastrukturor dhe shpenzimet i keni tashmë të parashikuara dhe thuajse nuk keni dalje përtej kornizës së asaj që është kontraktuar me BIM-në, thekson Pançevski
Për këto arsye, sqaron ai, BE-ja, duke përfshirë një pjesë të madhe të vendeve evropiane, si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia, fillimisht filloi me detyrimin e të gjithë realizuesve të projekteve infrastrukturore që të bëhen në BIM. Mbretëria e Bashkuar e filloi këtë detyrim në vitin 2016, Gjermania 2020. Kjo do të pasojë në të gjitha vendet e tjera meqë vetë Direktiva që BE-ja e miratoi në vitin 2014 e parashikon këtë detyrim për të gjitha anëtaret.
“Te ne me një pjesë të projekteve evropiane tashmë kemi bërë një lloj udhërrëfyesi se si do të duhej të jetë në Maqedoni. Morëm mbështetje parimore, por fatkeqësisht ka ngelur me atë mbështetje parimore. Në pjesën e implementimit, ne deshëm që BIM të paktën si opsion i padetyrueshëm të përfshihet në furnizimet publike, pra ndërmarrjet kur aplikojnë përveç versioneve autokad të projekteve të tyre, ata që do të dorëzojnë version BIM të marrin numër të caktuar të pikave plotësuese, por ende nuk janë bërëato ndryshime, në mënyrë që BIM të përfshihet në rregullativën”, bën të ditur Pançevski.
Siç theksojnë nga Shoqata e ndërtimtarisë, industrisë së materialeve ndërtimore dhe jometaleve të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, digjitalizimi në sektorin e ndërtimtarisë tashmë ka filluar në nivel global, që është nxitje për profesionin e ndërtimtarisë që të mendojë për vendosjen e veglave që do të mundësojnë digjitalizimin e proceseve dhe qarkullim më të shpejtë të informacioneve.
BIM – Building Information Modeling, bëjnë të ditur ata, është në qendër të transformimit digjital të sektorit ndërtimor dhe asociacioni i parë kur do të përmendet ndërtimi i qëndrueshëm dhe efikas energjetik. BIM është një trend që aplikohet gjithnjë e më shumë në këtë sektor, veçanërisht në vendet e zhvilluara perëndimore dhe është proces i bazuar në 3D që u jep arkitektëve, inxhinierëve dhe profesionistëve të ndërtimtarisë njohuri dhe vegla për planifikim, projektim, ndërtim dhe menaxhim më efikas të ndërtesave në drejtimin të ndërmarrjes së harmonizuar të aktiviteteve në procesin e ndërtimit dhe evitimit të mundësive për gabime në të gjitha fazat e ndërtimit të objektit.
“Sektori i ndërtimtarisë në shtetin tonë po i bashkohet gradualisht tendencave moderne dhe është i njoftuar me modelimin informatik të ndërtesave. Nëse niset nga fakti se digjitalizimi është proces i pashmangshëm, atëherë mund të konstatohet se kompanitë ndërtimore do të duhet të aplikojnë zgjidhje moderne dhe inovative teknologjike si parakusht për rritjen e aftësisë konkurruese, produktivitetit dhe efikasitetit të punës”, shprehen nga Asociacioni.
Ata rekomandojnë edhe se e ndjekin hapin me kohën dhe tashmë një kohë të gjatë implementojnë projekte që synojnë zhvillimin e kapaciteteve dhe digjitalizimin gradual të proceseve të ndërtimtarisë, implementimin e postulateve të efikasitetit energjetik dhe përmbushjen e synimeve të zhvillimit të qëndrueshëm energjetik. Si shembuj për këtë i përmendin projektet TRAINEE dhe SeeTheSkills që i koordinon oda. Përmes këtyre projekteve ata marrin pjesë në mënyrë aktive në organizimin e trajnimeve dhe certifikimin e kuadrove që do të lehtësojnë procesin e prezantimit dhe implementimit të BIM, që është hapi i parë drejt digjitalizimit të ndërtimtarisë në nivel kombëtar dhe rritjes së kërkesës për ndërtime me efikasitet energjetik.
Trajnimet e organizuara deri më tani në kuadër të projektit TRAINEE kanë zgjuar reagim serioz për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të më shumë se pesëdhjetë kompanive ndërtimore – inxhinierë, arkitektë, investitorë, realizues, që është një konfirmim se kompanitë janë të interesuara të njoftohen me zbatimin praktik dhe përfitimet nga zbatimi i kësaj vegle. Projekti SeetheSkills, nga ana tjetër, parashikon edhe formimin e regjistrave për punëtorët e certifikuar, që do të mundësojë shikueshmëri më të madhe të personave që kanë përvetësuar shkathtësi digjitale në nivel evropian.
Efikasiteti energjetik dhe digjitalizimi padyshim do të kontribuojnë në forcimin e aftësisë konkurruese të ndërtimtarisë si një nga sektorët që janë boshti lëvizës i ekonomisë vendore, që përfshin 7,4 për qind të numrit të përgjithshëm të subjekteve afariste dhe punëson 6,8 për qind të numrit të përgjithshëm e personave të punësuar në shtet”, shprehen nga Shoqata.
Mirëpo, siç theksojnë ata, para se të mendohet për përfshirjen e BIM-it në rregullativën dhe parashikimin e tij si obligim i detyrueshëm për pjesëmarrje në tenderë për projekte të mëdha kapitale, nevojitet një qasje e kujdesshme dhe konsekuente. Kjo qasje do të duhet të mundësojë: përgatitjen e institucioneve qeveritare për sigurimin e një rrethimi të volitshëm afarist dhe një kornize përkatëse ligjore që do të mundësojë vendosjen e zgjidhjeve bashkëkohore teknologjike në ndërtimtarinë, përgatitjen e institucioneve arsimore që do të punojnë në përshtatjen e programeve arsimore me nevojat e bashkësisë së biznesit, me qëllim të përgatitjes së kuadrit profesional që do të mund t’i bashkohet procesit të punës dhe t’i zbatojë zgjidhjet e reja teknologjike, si dhe të përgatitjen e kompanive ndërtimore për të investuar në zbatimin e programeve dhe teknologjive të reja, por edhe në kuadër që do të dijë t’i zbatojë të njëjtat.
Sektori i ndërtimtarisë është në mesin e sektorëve industrialë të përfshirë për mbështetje përmes platformës Skills4Future.mk e cila ka për qëllim t’i mbledhë në një vend kompanitë, politikëbërësit dhe profesionistët për zhvillim për të hetuar dhe gjetur zgjidhje të zbatueshme për sfidat e përbashkëta me të cilat përballen bizneset lokale. Platforma përdoret në mënyrë që të mbështeten ndërmarrje në tre sektorë industrialë: atë ndërtimor, të tekstilit dhe burimeve të ripërtërishme të energjisë në mënyrë që të diskutohet dhe dakordohet një model i ri, i mundshëm për tejkalimin e mungesës së shkathtësive, që po bëhet një nga pengesat më të mëdha..
Në Raportin për Tranzicionin 2021-2022 që e përpiloi Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në shtet përkundër përmirësimeve të ndjeshme të viteve të fundit në fusha të ndryshme, megjithatë niveli i ulët i shkathtësive digjitale paraqet kufizim që ngadalëson digjitalizimin e mëtejshëm.
Në përputhje me Indeksin e digjitalizimit të BERZH-it në shkallën 100, Maqedonia e Veriut është në nivelin 59 për qind në raport me kushtet e domosdoshme për digjitalizim dhe 48 për qind në raport me përdorimin e teknologjive digjitale nga kompanitë dhe qytetarët, gjë që, është afër mesatares rajonale.

