Dibra dhe Qendër Zhupa nesër pa ujë të pijshëm për 12 orë

Shkup, 6 shtator – Nesër në periudhën prej orës 8 deri në orën 20, pa ujë do të mbetet qyteti i Dibrës, fshatrat nëpër të cilët kalon tubacioni Kosovrasti i Poshtëm dhe Rajçicë si dhe Qendër Zhupa të cilët furnizohen me ujë të pijshëm nga ujësjellësi Rosoki-Dibër.

Sipas Burim Kabës, drejtor i Ndërmarrjes komunale publike “Standard” që menaxhon furnizimin me ujë, ndërprerja e furnizimit me ujë është për shkak të ndërrimit të ventileve të vjetër e cila filloi të zbatohej në nëntorin e kaluar.

“Gjatë ditës së nesërme planifikojmë të përfundojmë projektin, që përfshinte zëvendësimin e të gjitha 65 ventileve nga kaptazhi përgjatë tubacionit, të instaluara para tre dekada e gjysmë kur është ndërtuar ujësjellësi. Kërkojmë nga shfrytëzuesit mirëkuptim dhe durim, sepse çdo intervenim është në drejtim të një furnizimi sa më normal”, tha Kaba.

Projekti realizohet me mjete nga buxheti i komunës së Dibrës, kurse punimet i realizon kompania “Sms Holding” – Shkup së bashku me punonjësit e “Standard”.