Dhuka: Jemi në miljet e fundit për të përmbushur kriteret për t’u bërë anëtarë në BE

Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, deklaroi sot se, Shqipëria ndodhet sot në një moment historik në rrugën e anëtarësimit në familjen evropiane.

Në fjalën e saj në konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave, Dhuka u shpreh se, “Shqipëria sapo ka çelur negociatat teknike për anëtarësim në një moment qëndrueshmërie ekonomike dhe stabiliteti të sektorit financiar. Në një moment të merituar për t’u ulur në tryezën e bisedimeve në Bashkimin Evropian”.

“Shqipëria ka aspirata të mëdha dhe është sot fort e përgatitur për të avancuar me çeljen e negociatave në fusha të tjera përgjatë vitit 2025. Shumica e fushave janë të lidhura me ekonominë, rritjen dhe qëndrueshmërinë”, tha Dhuka.

Dhuka nënvizoi se, në këtë rrugëtim drejt familjes evropiane sigurisht që roli i Bankës së Shqipërisë, sistemit bankar dhe institucioneve financiare është shumë i rëndësishëm në 3 drejtime kryesore”.

“Së pari, në lidhje me qeverisjen ekonomike dhe qeverisjen e transformimit ekonomik të vendit drejt anëtarësimit në BE.

Së dyti në lidhje me inovacionin ekonomik dhe mbështetjen që sistemi financiari i jep inovacionit ekonomik, teksa sektorët kryesorë të ekonomisë transformohen në hyrjen në tregun evropian.

Së treti për ta konvertuar rritjen në mirëqenie për qytetarët”, tha Dhuka.

Kryenegociatorja shtoi se, BE është duke folur më dendur këto ditë në lidhje me plotësimin, përfundimin e tregut të kapitalit.

“Raporti Draghi ka vënë në dukje disa sfida strukturore të konkurrushmërisë të BE-së dhe është një linjë mendimi që po shtyn reflektimin e BE-së në drejtim të përfundimit të krijimit të tregut të plotë të kapitalit në BE”, tha ajo.

“Banka e Shqipërisë e drejton punën për tregun e kapitalit për kapitullin e tregut të kapitalit në negociatat në BE”, nënvizoi Dhuka, teksa shtoi se, këtu fjala është, jo vetëm për të afruar standardet e BE-së, por njëkohësisht edhe për t’u bërë pjesë e tregut të kapitalit të BE-së, teksa ai evoluon dhe konsolidohet”.

Dhuka theksoi se, qartazi është një rrugë shumë dinamike.

“Teksa ne i afrohemi BE-së, BE e konsolidon konkurrueshmërinë e tij dhe ne duhet të përshpejtojmë për t’iu afruar të gjitha mundësive të reja që sjell reformimi evropian”, tha Dhuka.

“Ne të gjithë së bashku kemi së paku 3 misione të mëdha për të përmbushur në periudhën afatshkurtër shpresoj, por afatmesme për të qenë objektiv”, tha Kryenegociatorja.

Së pari, nënvizoi Dhuka, “teksa futemi më shumë në tregun e përbashkët evropian dhe i afrohemi anëtarësimit është shumë e rëndësishme që të ruajmë stabilitetin ekonomik të vendit pavarësisht nga krizat, si dhe të konsolidojmë sovranitetin ekonomik”.

“Hyrja në tregun unik evropian duhet t’i shërbejë ekonomisë, në vend të përbëjë një presion të shtuar konkurrencial nga një treg i madh drejt një tregu më të vogël për bizneset shqiptare”, tha ajo.

Prandaj shtoi Dhuka, “është e rëndësishme që të punojmë për të konsoliduar sovranitetin ekonomik dhe unë besoj se është roli madhor i sistemit tonë financiar, i tregut tonë të kapitalit për të siguruar konsolidimin e sovranitetit ekonomik”.

Së dyti, nënvizoi ajo, “ne duhet të përmbushim një mision për modernizimin e plotë të sistemit financiar bankar. Progresi është i dukshëm, falë punës tuaj të jashtëzakonshme. Sistemi financiar bankar ka ndër profesionistët më të mirë. Pjesën më të mirë të kapitalit njerëzor të Shqipërisë dhe unë besoj se duke drejtuar vëmendjen tek dixhitalizimi dhe standardi evropian, ne mund ta nxisim modernizimin në një hap tjetër”.

“Nëse kemi hezituar disi për ta bërë këtë deri më sot unë ju ftoj që t’i bashkohemi mendimit që çasti është sot. E kuptoj që në disa raste kjo kërkon më shumë investime nga ana juaj, jo vetëm në kapitalin human, por edhe në sisteme dhe teknologji, po kush më mirë sesa sektori bankar dhe sektori financiar në Shqipëri mund të mbajë shënjuesin e modernizimit”, iu drejtua kryenegociatorja Dhuka anëtarëve të sistemit bankar.

Dhuka u shpreh se, Kuvendi po shqyrton një ligj që përafron një rregullore të re të BE-së, të ashtuquajturën GDPR, ose rregullore për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Ne do të kemi në fakt çaste kur do të shtyhemi po ashtu që të modernizohemi më shumë. Kuvendi i Shqipërisë po shqyrton një ligj që përafron një rregullore të re të BE-së, të ashtuquajturën GDPR, ose rregullore për mbrojtjen e të dhënave personale. Sigurisht sistemi bankar është zbatuesi ose ndër zbatuesit kryesorë të këtij standardi evropian. Unë aspiroj që ky standard të trupëzohet edhe më shumë, pasi është gjerë i trupëzuar në sistemin tonë bankar përmes jush, për së pari, duke drejtuar përpjekjet edhe të fushave të tjera të sektorit financiar, si përshembull tregut të sigurimeve etj”, tha Dhuka.

“Mendoj që kemi edhe një mision tjetër shumë të rëndësishme, një mision të tretë për të përmbushur së bashku, integrimin në praktikë. Roli ynë është ai i “gjuetarit të mundësive”. Ne duhet të krijojmë mundësi dhe përfitime praktike, reale për qytetarët dhe bizneset tona. Ky është rasti me SEPA-n, zonën unike të pagesave në euro, përfitimet e së cilës drejtpërdrejt për qytetarët dhe bizneset janë domethënëse”, tha Dhuka.

Kryenegociatorja nënvizoi se, Shqipëria është vendi i parë në rajon që ka paraqitur pranë institucioneve evropiane për t’u bërë pjesë e zonës së pagesave euro.

“Këtu nuk është fjala vetëm se Banka e Shqipërisë ka bërë një punë shumë të mirë së bashku me Ministrinë e Financave për të afruar rregullat, por këtu është fjala edhe se sistemi bankar është gjerësisht i përgatitur për t’u bërë pjesë e zonës së pagesave euro”.

Dhuka uroi së shpejti një vendim pozitiv për Shqipërinë dhe lehtësimin e pagesave ndërkufitare, por edhe rritjen e përfshirjes financiare për qytetarët dhe bizneset gjatë vitit 2025.

“Të bërurit anëtarë të familjes evropiane është një rrugëtim sfidash dhe mundësish. Është një rrugëtim optimistësh dhe skeptikësh, por unë mendoj se ne të gjithë ndajmë besimin e përgjithshëm se jemi në miljet e fundit për të përmbushur kriteret për t’u bërë anëtarë në BE. Shqipëria sot ka nevojë për energjinë tuaj”, përfundoi Kryenegociatorja Majlinda Dhuka.