Despotovski –Hollshtajn: Vijojnë negociatat për investime të reja gjermane

Shkup, 27 gusht – Statusi i negociatave me disa kompani të mëdha gjermane, nga të cilët një pjesë e investitorëve të rinj, për realizimin e investimeve të reja në dy – tre vitet e ardhshme, u prezantua në takimin e sotëm të drejtorit të Drejtorisë për zonat zhvillimore teknologjike industriale (ZZHTI), Jovan Despotovski me ambasadoren e Republikës federale të Gjermanisë, Anke Hollshtajn.

Në takim u bë fjalë edhe për investimet ekzistuese gjermane.

Siç u tha, Qeveria dhe Drejtoria për ZZHTI i njohin nevojat e investitorëve për një klimë të parashikueshme biznesi, qasje në infrastrukturë cilësore dhe shërbime publike efikase. Mbështetja që Drejtoria po zhvillon në këtë kontekst, si dhe qasja e sapoformuar ndaj një pakete mbështetëse të individualizuar, tashmë po japin rezultate.

Që nga fillimi i vitit, investimet në vlerë prej mbi 120 milionë euro tashmë janë realizuar ose janë në fazën përfundimtare të përgatitjes, me rreth 2,000 vende të reja pune.

Ambasadorja Hollshtajn shprehu kënaqësi që Gjermania dhe kompanitë që investojnë në vend janë një shembull i praktikës së mirë dhe njoftoi se ajo do të vazhdojë të punojë për të rritur praninë ekonomike në rajon.

Në takim u bisedua edhe për iniciativat e reja të Drejtorisë për ZZHTI në pjesën e zhvillimit të kapitalit njerëzor, i cili është me rëndësi të veçantë për investitorët. Despotovski gjithashtu informoi për përgatitjet për një cikël të ri të aktiviteteve për të inkurajuar investimet, me fokus Evropën Perëndimore, SHBA-në dhe Azinë Lindore.

Vetëm në zonat ZZHTI, deri më tani ka shtatë kompani gjermane me një vëllim total të investimeve të realizuara dhe të planifikuara prej mbi 150 milionë euro, me më shumë se 4,600 vende pune. Këto shifra pritet të rriten ndjeshëm në vitet e ardhshme.