Dërgohet në mbajtje i dyshuari për tentim sulmin ndaj Rrahman Jasharajt

Policia e Kosovës ka arrestuar personin e dyshimtë për tentim-sulmin ndaj kryetarit të Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, Rrahman Jasharaj.
Në raportin 24 orësh të policisë është theksuar se i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

”Shkolla “Ismail Qemali”, Prishtinë 05.09.2022 – 11:40. Raportohet se viktima mashkull kosovar, është kanosur nga i dyshuari mashkull kosovar i cili ka tentuar ta sulmojë edhe fizikisht. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme pati reagime të shumta në lidhje me sulmin ndaj Jasharajt, i cili dje u takua me mësimdhënës të shumtë në shkollën “Ismail Qemaili”, ku u diskutua për kërkesat e tyre drejtuar Qeverisë së Kosovës.

Në mbledhjen e mbajtur mes mësimdhënësve të shkollës fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë dhe përfaqësueseve të Sindikatës se Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), një prind (gjysh) që ishte prezent në mbledhje, në fund të mbledhjes ka tentuar ta sulmoi , fizikisht kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Tensionet në shkollën fillore “Ismail Qemaili”, kanë vazhduar edhe jashtë saj, ku një qytetar është konfrontuar me një mësimdhënës të kësaj shkolle.

Qytetari ka kërkuar që të zhvillohet mësimi normalisht, kurse mësimdhënësi e ka kundërshtuar atë duke i thënë se Sindikata e Arsimit e ka organizimin e tyre.

Tërë këto pakënaqësi kanë ardhur si pasojë e grevës vazhdon të mbahet në arsim që nga 25 gushti i këtij viti.